Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, duke iu drejtuar në Kuvend ministres së Arsimit Mirela Kumbaro dhe Evis Kushit, është shprehur se mazhoranca i ka vjedhur projektligjin për trajtimin e barabartë të mësuesve.
Zhupa tha se mazhoranca pasi vodhi projektligjin e përgatitur prej saj dhe PD-së, e ndryshoi atë, dhe e la ‘gjysmak’.
“Më përmendi 200 herë se është edhe ndjenja e fajit të një projektligji të vjedhur dhe të përçunduar. Se ta kishte vjedhur tamam dhe ta kishte bërë tamam, do e kisha votuar edhe unë. Se këta e vodhën, e përçunduan dhe tani thonë hajde votojeni ju gjysmë përgjysmë për mësuesit”, tha mes të tjerash Zhupa.
Ndërkohë të njëjtat akuza u ngritën në Kuvend edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila tha se projektligji i paraqitur nga Zhupa, ishte e trajtuar mjaft qartë që të mos kishte diskriminim për mësuesit. Por sipas Xhixhos, mazhoranca e mori këtë projektligj dhe e ndryshoi në mënyrën më të keqe të mundshme.
“Personalisht iu drejtova ministres me një pyetje konkrete për këtë çështje, por nuk ka ardhur në seancë. E para duhet të kërkoni falje, sepse keni ulur pagat e mësuesve nga 2 mijë lekë deri në 6 mijë lekë të reja. Është për të ardhur turp që ministrja nuk denjon as të dëgjojë debatin. Zonja ministre t’u drejtova në Komision dhe të thashë që po paguan 11 mijë mësues më pak. Thatë ‘jo, përkundrazi, u kemi rritur pagën’. Edhe me këtë projektligj që ju keni ardhur, e keni gjysmak. Në projektligjin e Zhupës dhe opozitës ishte e trajtuar mjaftë qartë që të mos kishte diskriminim për mësuesit. Edhe vjen e thua do i japim dhuratë mësuesve për 8 marsin”, tha mes të tjerash Xhixho.
Një vendim qeverie i 26 qershorit 2024, që i bëri një rishikim kategorive të pagave edhe për edukatorët dhe mësuesit në arsimin parauniversitar, ulte ndjeshëm pagën për këtë kategori arsimtarësh.
Deputetja Kushi në ndryshimin ligjor propozon që njohja e diplomave para ‘Bolonjas’ të jetë e vlefshme me ato të marra 3+2, vetëm për efekt page.
Lajmi kryesor:
LIVE - Kuvend/ Koçiu dhe ministrat e rinj votëbesohen mes kaosit të PD, Berisha e deputetët bllokojnë Foltoren! Sherr edhe për imunitetin e Ballukut












