11 -mujori: Të ardhurat nga TAP llogariten 24.794 milionë lekë


TIRANE, 19 Janar/ATSH/- Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) llogariten 24.794 milionë lekë gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2014.
Sipas treguesve fiskal paraprak të ministrisë së Financave, të ardhurat nga TAP janë realizuar në masën 88 % të planifikimit vjetor.
Për vitin 2014, financat planifikonin të mblidhnin 28.202 milionë lekë të ardhura. Të ardhurat e mbledhura gjatë kësaj periudhe rezultojnë më të ulëta krahasuar me 11 mujorin e vitit 2013. Referuar statistikave zyrtare të ministrisë së Financave, të ardhurat nga TAP gjatë periudhës janar-nëntor arritën 26.008 milionë lekë.
Qeveria miratoi një politikë të re taksash sa i takon të ardhurave personale, konkretisht të ardhurave nga paga në fillim te vitit 2014. Ky ka qënë edhe shkaku se pse këto të ardhura rezultojnë më të ulëta gjatë 11 mujorit të vitit 2014.
Nga 1 janari 2014 hyri në fuqi taksimi progresiv. Sipas ligjit të ri të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013. Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: TAP mbi të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat; TAP nga interesat bankare; TAP nga dividendët; TAP nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe TAP për burime të tjera të ardhurash. Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale (TAP)./a.gjonaj/ /a.g/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë