Dritan Goxhaj dhe 10 protestës të tjerë janë vënë nën hetim nga Policia e Tiranës pasi kanë bllokuar akset rrugore dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve gjatë protestave të zhvilluara më datë 22 dhe 23 qershor.
Goxhaj, 3 ditë më parë lexoi në emër të grupit protestues kërkesat që qytetarëve i drejtonin qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama e është po ai, i cili ka udhëhequr turmën jashtë perimetrit të njoftuar për zhvillimin e tubimit. Goxhaj ka shprehur hapur mbështetjen e tij për regjimin iranian ndërsa nga qeveria është cilësuar si mbështetës i influencës iraniane që po nxit zhvillimin e protestave.
Kjo nuk është hera e parë që Policia e Tiranës, për të njëjtat vepra penale, vë nën hetim protestës. Dhjetëra të tjerë janë proceduar penalisht për shkak të shkeljes së njoftimit për mbajtjen e protestës, bllokimin e akseve rrugore e prishjen e qetësisë publike.
“Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor 2026, në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
Konkretisht, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Kërkesat e lexuara nga Dritan Goxhaj në protestë, i shërbejnë planit të tij utopik që e ka publikuar në profilin e tij në facebook më 14 qershor. Plani parashikon shpërndarjen e Kuvendit dhe zëvendësimin e tij me një Asamble Tranzitore prej 101 anëtarësh, të përzgjedhur me short nga qytetarët.
Kjo Asamble do të emëronte, po me short, një qeveri tranzitore 12-mujore me kompetenca të kufizuara, e cila do të kishte për detyrë rishkrimin e Kushtetutës. Më pas, Kushtetuta e re do t’i nënshtrohej një referendumi popullor dhe vetëm në rast se do të miratohej nga qytetarët, vendi do të mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Bëhet fjalë për një plan utopik që përplaset hapur me Kushtetutën aktuale, por që, me sa duket, grupi i organizatorëve beson se mund ta zbatojë duke rrëzuar përmes protestave jo vetëm qeverinë, e cila mbështetet nga 83 mandate parlamentare, por edhe Kuvendin, ku bëjnë pjesë 140 deputetë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










