110-vjetori i Pavarësisë, ngrihet flamuri në Vlorë! Bëhen bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe Kosovës! Begaj: Bashkë drejt rrugëtimit në BE

VLORË- Nga Vlora nisën sot festimet për 110 vjetorin e Pavarësisë, ku në Sheshin e Flamurit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit kuqezi, nën tingujt e himnit kombëtar. Vlora, aty ku në 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, do të jetë epiqendra e festimeve për ditën e sotme.

Ky 110-vjetor ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, të cilët morën pjesë në ceremoni, ndërsa bënë homazhe pranë monumentit simbol të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi.

I vetmi që mbajti fjalë ishte kreu i shtetit, Bajram Begaj i cili uroi të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënuar, ndërsa vuri theksin tek përkushtimi ndaj atdheut. Teksa vlerësoi arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, Begaj theksoi se vendi ynë ka endë shumë rrugë përpara, prandaj edhe përçoi mesazhin për ta dashur më shumë Shqipërinë, me vepra e idealizëm njëjtë si heronjtë që nderohen ditën e sotme.

“Brezat të mos harrojnë, që të kujtojnë me mirënjohje paraardhësit e tyre dhe të mbushen me krenari për atdheun, flamurin dhe identitetin kombëtar. (...) Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjatë përpara. Por ajo që duhet të bëjmë, më së pari, është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm, ashtu si patriotët e mëdhenj, që nderojmë sot”, tha Begaj.

Presidenti i bëri thirrje Shqipërisë për të qëndruar krah për krah Kosovës në rrugëtimin e saj europian, ndërsa tha se duhet të bëhet zëri i saj në arenën ndërkombëtare.

"Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik", vijoi Begaj.

Në ceremoninë festive për ngritjen e flamurit, mori pjesë presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Dritan Leli, si edhe krerët e shtetit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Të tjerë qytetarë  brenda dhe jashtë territorit shqiptar ndodhen në Vlorë për festën e flamurit.

"Vij nga Kosova, kemi ardhur se në këtë ditë madhore duhet të ejmi së bashku. Është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit Shqiptar.

Unë kam qenë vjet erdha erdha dhe sivjet, kam ardhur direkt nga Zvicra, është nder për mua…

Urime shqiptari. Këto ditë gzuar me flamujt kuq e zi duek valuar, urime pavarsia e popullit Shqiptar

Urojmë të gjithë shqiptarëve festën e flamurit dhe clirimit, urojmë an e mbanë botës të gjithë të gëzuar", shprehen qytetarët.

Edhe për 110 vjetor demokratët qëndruan larg qeverisë e dhe mazhorancës. Me përfundimin e ceremonisë shtetërore, bënë homazhe pranë varrit të Ismail Qemalit në Vlorë. Deputeti i PD, Bujar Leskaj tha se nuk mund t’i bashkohej qeverisë pasi ka shkaktuar humbjen e integritetit të shqiptarëve.

Shqipëria feston sot 110-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Thirrja e presidentit Begaj për 28 Nëntorin: T’i përkushtohemi Shqipërisë së gjeneratës tjetër

 

Në pritjen shtetërore të organizuar sot me rastin e 110 - vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti autoritete të larta të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të forcave politike, komuniteteve fetare, kulturës, artit dhe medias për të kremtuar së bashku festat kombëtare në këtë vit jubilar të mëvetësimit të Shqipërisë.

Në fjalimin e tij nuk kanë munguar mesazhet për politikën.

“Shqipëria, pas një vlerësimi historik, do të mirëpresë liderët Evropianë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ky është një mesazh inkurajimi për të ardhmen evropiane të shqiptarëve në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e rajonit.  Edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e diasporë  ka qenë, është, dhe do  të jetë i bashkuar, në mbështetje të destinacionit tonë të përbashkët në familjen Euro-Atlantike.  Vizioni mbarë-popullor për të qenë pjesë e familjes evropiane duhet të jetë premisa dhe shtysa për bashkëpunim konstruktiv, politik e parlamentar, për vijimin e reformave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.  Qytetarëve ju duhet dhënë siguri që reforma në drejtësi ka ngritur institucione të besueshme dhe të përgjegjshme, që garantojnë të drejtën e tyre për drejtësi dhe barazi para ligjit. 

Brezat e rinj kanë nevojë të shohin perspektivë të qartë zhvillimi, demokraci funksionale, hapësirë për idetë e tyre dhe optimizëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.  

Diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës dhe të mbështetet me programe që nxisin kontributin, ekspertizën dhe investimet e tyre. Zgjedhjet e ardhshme vendore janë një mundësi për të demonstruar bashkëpunim e përgjegjshmëri politike e institucionale, për zgjedhje të lira e demokratike. Si President i Republikës, në interes të kombit dhe të ardhmes tonë, ftoj të gjithë aktorët politikë e institucionalë, shoqëri civile e media, çdo shqiptar, që t’i përkushtohemi vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, vendin e projektuar për të qenë anëtare në Bashkimin Evropian”, tha Begaj.

(Kliko këtu për të lexuar fjalën e plotë të presidentit)

Ora 14:20
Pas sherrit në Kuvend, Rama ‘pajtohet’ më Leskajn në Vlorë! Trokasin gotat me pijë për Festën e Pavarësisë

Festa e Flamurit në Vlorë ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe të Kosovës. Kryeministri Edi Rama ndarë disa pamje në rrjetet sociale teksa ka zhvilluar vizitë në Muzuen ‘Kosova’ në Vlorë.

Mirëpo gjatë kësaj vizitë, kryeministri është ‘pajtuar’ edhe me deputetin demokrat Bujar Leskaj, teksa shihen duke trokitur gotat për festën e Pavarësisë.

Kujtojmë se Bujar Leskaj u përjashtua 10 ditë nga Kuvendi pas përplasjeve me gjuhë jo etike me kryeministrin Edi Rama në Kuvend.

 

Ora 13:59
FOTO/ Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, krerët e shtetit shqiptar dhe ata të Kosovës pinë kafe së bashku në Vlorë

Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, krerët e shtetit shqiptar dhe ata të Kosovës janë bërë së bashku për të pirë një kafe në Vlorë.

Ora 11:40
Politika e ndarë edhe në kremtimet për 110 vjetorin e pavarësisë, deputeti i PD: Nuk mund t’i bashkohemi qeverisë që ka shpopulluar vendin

 

Edhe në këtë 110 vjetor, politika shqiptare ka qenë e ndarë në kremtimet për festën e pavarësisë në Vlorë. Deputetë dhe përfaqësues të partisë Demokratike kanë mbajtur homazhe pranë varrit të Ismail Qemalit në Vlorë.

Deputeti i PD, Bujar Leskaj ka theksuar rëndësinë e kësaj dite ku të gjithë i përkulen me nderim burrit të lartë të shtetit shqiptar. Sa i përket ndarjes së politikës në kremtime, Leskaj deklaroi se PD nuk mund t’i bashkohej qeverisë që për 10 vite ka shpopulluar vendin dhe ka shkaktuar humbjen e integritetit të shqiptarëve.

Ora 10:28
Begaj në ceremoninë e ngritjes së flamurit: Shqipëria ka ende rrugë përpara, ta duam me idealizëm si heronjtë tanë

 

Nga Vlora, ku u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit, presidenti Bajram Begaj uroi të gjithë shqiptarët për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Begaj tha se tashmë Shqipëria ka forcuar rolin në arenën ndërkombëtare dhe luan një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit në OKB. Por pavarësisht gjithë arritjeve, Begaj tha se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë përpara, teksa një mesazh e kishte edhe për të gjithë shqiptarët që të ta duan atdheun me vepra dhe idealizëm njëjtë si heronjtë që nderohen sot.

Presidenti u ndal edhe në mbështetjen e Kosovës ku tha se Shqipëria duhet të jetë zëri i saj në arenën ndërkombëtare dhe mbështetëse e palëkundur në udhëtimin e saj euroatlantik.

“Me gëzim dhe krenari Vlora lavdimadhe dhe heroike na fton për të kremtuar 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Historia ynë është histori luftërash e sakrificash, përpjekje të pafundme për liri. Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, që me përgjegjësi historike jetësuan vullnetin shekullore të popullit me shumë guxim. Kurora e pavarësisë është e mbushur me gurë të çmuar, që nga lavdia e Gjergj Kastriotit, të lidhja Shqiptare e Prizrenit, lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit dhe kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare në fillim të shekullit 20. 110 vjet pas shpalljes së pavarësisë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Ballkan dhe gjithë botën. Kombi shqiptar ka forcuar pozitat duke u bërë një aktor i besueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. Shqipëria është anëtare e denjë e NATO-s.

Nëse para 110 vite para diskutohej copëzimi i trojeve shqiptare, sot Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në OKB. Në fillim të dhjetorit për herë të parë, mblidhet samiti i BE, kjo shënjon një ngjarje të madhe dhe është një përgjegjësi për rrugëtimin e Shqipërisë dhe europën, mesazh mbështetje për shqiptarët për vijimin e reformave dhe avancimin e axhendës europiane. Kemi rrugë të gjatë përpara, ta duam atdheun me vepra shërbim e idealizëm si patriotët e mëdhenj që nderojmë sot. Shqipëria ka detyrim të mbështesë shqiptarët kudo ku jetojnë.

Ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare. Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë. Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe nATO.

Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik.

Patriotët e mëdhenj që nderojmë sot janë shembulli më i mirë i bashkimit për interesat kombëtare. Me këtë mesazh, unë dua t’i bëj apel sot vetëdijes shqiptare se atdheu dhe kombi kanë nevojë për përkushtimin, përgjegjësinë, shërbimin dhe dashurinë e secilit prej nesh. Nga Vlora e bukur e flamurit, uroj sot të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, Arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë:, gëzuar ditën e Flamurit”, tha Begaj.

Ora 10:04
Ceremonia e ngritjes së flamurit, mbërrijnë Rama e Begaj, të pranishëm edhe Kurti me Osmanin

 

Ka nisur në Vlorë ceremonia e ngritjes së falamurit me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë. Të pranishëm janë Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Dritan Leli, si edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, si edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nipi i Gjergj Kastriotit: 28/11/2022 19:33

    RROFT SHQIPNIA PA TURQ.

    Përgjigju
  • Eno: 28/11/2022 13:36

    Po po drejt Dubait...

    Përgjigju
  • Lena: 28/11/2022 12:23

    Asnje nga ju nuk e do Shqiperine

    Përgjigju
    • Supaxhiu shqipfoles i Athines: 28/11/2022 13:27

      Ashtu eshte! S’ka shpres ne Shqiperi. Duhet te ikin te gjithe ne emigrim (por jo minoriteti grek, qe eshte shumice ne jug te Vjoses)!

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim