Operacioni kombëtar “Tempulli” çoi në pranga 233 shpërndarës droge në disa qarqe si dhe bëri të mundur goditjen e 23 grupeve kriminale.

Emisioni 112 në Report TV sjell pamje dhe situata reale nga ky megaoperacion. Në këtë episod jemi përqendruar në gjithçka ndodhi në Tiranë prej orës 05:00 të mëngjesit kur u dhanë informacionet e para në të gjitha komisariatet e policisë së kryeqytetit.

Si u bë ndërhyrja dhe kontrollet në banesa, si u gjendën të papërgatitur personat që rezultonin në listën e urdhër-arresteve të lëshuar nga prokuroria?

Në episodin e radhës, Report TV do të sjellë planet e filmuara në megaoperacionin “Tempulli” në qytetet e tjera të Shqipërisë.

Në kuadër të megaoperacionit të nisur prej 14 shtatorit 2023 deri tani janë arrestuar rreth 240 persona në mbarë vendin për shpërndarje drogash pranë shkollave dhe lokaleve të frekuentuara nga të rinjtë. 23 grupe kriminale u shkatërruan në megaoperacioni i zhvilluar në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. 

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Operacioni i policisë së Shtetit që u zhvillua në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve në 5 qytete u kodua “Tempulli” një mënyrë figurative për të treguar se po rrezikohet tempulli i dijes, shkolla. Grupe kriminale dyshohet të kenë vepruar duke shpërndarë drogë për të rinjtë pranë shkollave dhe lokaleve. 112 urdhër-arreste ishin vetëm në Tiranë.