Kombëtarja shqiptare nuk mund të mos uronte në ditën e shënuar të ‘Pavarësisë’. Përmes një postimi të shpërndarë nga FSHF, djemtë e Kombëtares kanë uruar 28 nëntorin. Në video për 114-vjetorin shfaqen Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Stavro Pilo, Taulant Seferi, Ernest Muçi, Mario Mitaj, Juljan Shehu, Klevi Qefalija, Arbër Hoxha, Mirlind Daku dhe Alen Sherri. Mesazhin përmbyllës e përcolli kapiteni Berat Gjimshiti, i cili theksoi lidhjen që i bashkon shqiptarët, pavarësisht vendit ku ndodhen.
“Pavarësisht se ku na çon rruga, ka një vend që na bashkon gjithmonë, Shqipëria. Gëzuar 28 Nëntorin”, u shpreh mbrojtësi kuqezi.
Nuk ka vonuar as urimi i UEFA-s. Institucioni më i lartë i futbollit në Evropë në rrjetet sociale ka shpërndarë një foto ku duken futbollistë e futlloste të Kombëtares, por edhe tifozë kuqezinj, ndërsa shkruan ‘Gëzuar Pavarësinë Shqipëri’. UEFA kujtoi edhe shortin e Evropianit U-21, që nga 16 qershori deri më 3 korrik do të zhvillohet në Shqipëri e Serbi.
Befasues ka qenë urimi i ardhur nga qyteti i Liverpool-it. Klubi i Everton, ku më herët është aktivizuar Armando Broja, ka uruar pavarësinë e Shqipërisë. ‘Gëzuar Pavarësinë Shqipëri,’-shkruan Everton teksa ka vendosur stadiumin në sfond.
Urimi ka ardhur edhe nga federata shqiptare e skive përmes Lara Colturi-t, që fundjavën e kaluar fitoi për herë të parë nën flamurin kuqezi garën e Kupës së Botës në Austri. Në videon e shpërndarë duket Colturi teksa flet disa fjalë shqip, ndërsa shkruhet:
“Gëzuar Ditën e Flamurit! ?? Faleminderit shqiptarëve kudo ndodhen, që i dhanë forcë një besimi, shpresë një ëndrre!
Faleminderit, Lara Colturi, që i dhe forcë këngës kuqezi!
Krenarë që kemi bërë Shqipërinë të njohur në botë, dhe flamurin e saj të valëvitet, ndërsa këndojmë me dorën në zemër himnin tonë kombëtar! ??
Mirënjohëse për ty, Shqipëri,”-shkruan federata e skive.






Komente
Komento