Me bindjen se ka bërë operacionet e duhura në merkato, si në numëra ashtu edhe në cilësi, Vllaznia e vajzave po i afrohet dy ndeshjeve tejet të rëndësishme në UEFA Women’s Champions League.

përgatitjet e fundit përpara udhëtimit drejt Qipros kanë qenë të mbushura me optmizëm. Sidomos pas 12 prurjeve të reja, të cilat pritet të rrisin konkurrencën dhe cilësinë në përballjet europiane. Presidenti i klubit, Lazër Matija, deklaroi se objektivi kryesor në këtë fazë mbetet harmonizimi i grupit dhe përshtatja sa më e shpejtë e afrimeve të reja me pjesën tjetër të skuadrës.

Optimizëm për paraqitjen e skuadrës në Champions League shfaqën edhe pjesëtaret e stafit teknik dhe futbollistet e ardhura së fundmi.

Vllaznia do ta zhvillojë ndeshjen e parë më 5 gusht ndaj skuadrës sllovake Spartak Myjava. Kuqeblutë synojnë të përfaqësojnë denjësisht futbollin shqiptar dhe të sigurojnë një rezultat pozitiv në aventurën europiane që do të zhvillohet në Qipro.