TIRANE - Një punonjës policie është arrestuar sot në Tiranë, pasi akuzohet  për kanosjen e një qytetari. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se në pranga ka rënë Inspektori Emiljan Prenga, me detyrë agjent i trupës operacionale, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Policia bën të ditur se, sipas hetimit të zhvilluar nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit u provua se punonjësi i Policisë Emiljan Prenga duke shfrytëzuar edhe detyrën ka kanosur në mënyrë serioze për jetën një shtetas, me qëllim marrjen e një shume prej 12 mijë eurosh.

Shqiptarja.com ka zbardhur detaje lidhur me arrestimin e policit të Operacionales. Mësohet se Emiljan Prenga kishte bërë një marrëveshje për ti siguruar një qytetari 20 kg kanabis, për të cilën do të shpërblehej me 12 mijë euro.

Burime për Shqiptarja.com  bëjnë të ditur se polici kishte siguruar drogën dhe kërkonte pagesën, por qytetari ndërroi mendje duke thënë se nuk e donte më lëndën narkotike. Por punonjësi i policisë kërkonte me çdo kusht paratë, duke e kërcënuar qytetarin me armë.

Nga hetimet dhe kontrollet e SHÇBA-së droga nuk është gjetur, por kanosja ndaj qytetarit është faktuar.

Nga ana e SHÇBA-së u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për këtë punonjës policie, për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Ndërkohë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka regjistruar procedimin penal për punonjësin e policisë Emiljan Prenga. 

(er.nu/shqiptarja.com)