Humbja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet e ndërmjetme do të tregojë ndikimin e saj në politikën e jashtme. Sipas analizës së Plator Nesturit në “Repolitix” në Report Tv, marrja në dorë e Kongresit nga demokratët do të reflektojë qëndrime të qarta edhe për Shqipërinë, përfshirë mbështetje të përforcuar për Prokurorinë e Posaçme.

“Në të gjitha rastet, do të merren parasysh edhe qëndrimet që janë të dallueshme të demokratëve ndaj republikanëve. Dallimi më kryesor sa i përket rajonit dhe neve, ka qenë qëndrimi më i qartë dhe më i dukshëm i demokratëve kundër një establishmenti politik, sidomos në Shqipëri. Mbështetja dhe qëndrimi i demokratëve ndaj SPAK dhe mbështetja për të krijuar rezultate konkrete, ka qenë dukshëm më i qartë sesa te republikanët”, thotë Nesturi.

Sipas tij, do të ketë një ndryshim lidhur me prioritetet duke i dhënë më shumë rëndësi luftës ndaj korrupsionit e më pas krimit të organizuar. Gjithashtu, demokratët do të ushtrojnë më shumë trysni ndaj establishmentit.

“SPAK mund të ketë një mbështetje më të madhe sa i përket luftës ndaj korrupsionit. Ka një erë që e motivon. E dyta, mendoj se nëse kemi pasur të bëjmë me një politikë që ka qenë e qartë e demokratëve, edhe republikanëve u intereson kjo qasje. Nuk shkon ndesh me interesat e republikanëve sa i përket politikës së jashtme.

Ne kemi qëndrim të qartë të demokratëve për Berishën kur u shpall non grata dhe çfarë ndodhi me vizitën e sekretarit Blinken në Tiranë dhe çfarë kërkoi që të bënin politikanët, këtë e dinë të dyja palët. Në këto kushte, dëshira e të dyja palëve për të fituar Trump, ishte për t’i shpëtuar trysnisë që po ushtronin demokratët lidhur me establishmentin”, tha Nesturi.

Ndërsa për Edvin Kullurin nuk është i rëndësishëm ndryshimi i prioriteteve, por goditja që demokratët amerikanë do të kryejnë ndaj lobimeve në SHBA të politikanëve shqiptarë.

“Mbështetja e qeverisë amerikane për SPAK ka qenë konstante sepse ka qenë mbështetje e institucioneve amerikane, pavarësisht kush drejton. Në zhvillimet tona të brendshme ka vetëm një element që duhet ta themi, që përpjekjet që ka bërë politika shqiptare për të lobuar pranë presidencës Trump përmes individëve të ndryshëm, do të marrë goditje shumë të madhe. Kongresi do të ushtrojë presion shumë të madh për të vërtetuar ndërhyrje jo shumë inteligjente në vendimmarrje në nivel vendimmarrjeje ndaj aktorëve shqiptarë të lidhur me krimin, këtu kam parasysh qeverinë”, tha Kulluri.