Prej pak ditësh, Gjykata e Përmetit ka liruar 3 personat e fshatit Pagri, që në fillim të këtij viti ishte në qendër të vëmendjes për kapjen e 12 tonë hashashi. Prokuroria e nisi me bujë këtë çështje, por ka dështuar, pasi 3 personat e arrestuar me bujë më 14 prill të këtij viti kanë rezultuar të papërfshirë në këtë çështje, pasi akuza për grup të strukturuar kriminal ka rënë plotësisht.
Tre ditë më parë, gjykata ka lënë të lirë tre personat, Rustem Muçelli, Eqerem Alinë dhe Koço Zaimanj, ndaj të cilëve rëndon vetëm vepra penale e ‘disponimit të lëndëve narkotike’, një vepër penale që nuk dënohet me më shumë se tre vjet burg.
Menjëherë pas këtij vendimi ka ardhur dorëzimi i personit të katërt, që ishte në kërkim nga policia. Pasi ai ka marrë vesh që bashkëfshatarët e tij janë liruar, është vetëdorëzuar shtetasi Ismail Saliu. Pra, rasti që u ndoq me shumë bujë nga Prokuroria, ku flitej për një grup të strukturuar kriminal, mbetet vetëm një akuzë, ajo e disponimit të lëndëve narkotike.
Katër personat janë të zhveshur tashmë nga akuzat për një grup të strukturuar kriminal, e ngritur nga Prokuroria. Të katër personat, që janë dhe të kaluar në moshë, përjashtohet të kenë qenë të përfshirë në mbjelljen e kanabisit. Ndërkohë, familjarët pritet të kërkojnë dëmshpërblim për ato gjashtë muaj që njerëzit e tyre kanë qëndruar në paraburgim.
d.c./shqiptarja.com












