Ish shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode është dënuar nga GJKKO me 12 vite burg!  Ai akuzohet se kishte lidhje me grupin e Habilajt. Sokol Bode është dënuar në mungesë pas së bashku me ish-oficerin tjetër të policisë Gjergji Kohila janë në arrati.

Bode ka qenë gjithnjë në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt, (ky i fundit i arrestuar në Itali, por më pas u arratis). Së bashku me Kohilajn ai akuzohet se me mosveprimet e tij ka lejuar trafikun ndërkombëtar të drogës të udhëhequr nga Habilajt në drejtim të Italisë. 

Kujtojmë se pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal". Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.