12 vite pas aksidentit të tmerrshëm me ski, legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, nuk është më i lidhur pas shtratit.

Shumë pak dihet për rikuperimin e 57-vjeçarit nga dëmtimi në kokë që pësoi gjatë pushimeve në Alpet franceze në vitin 2013. Tani disa burime kanë thënë për një gazetë se shtatë herë kampioni i botës mund të ulet në një karrige me rrota, raporton The Sun.

Bashkëshortja e tij, Corinna dhe mjekët kujdesen ende për të, 24 orë të ditës.

Por përparimi i tij do të thotë se ai mund të ecë me karrocë rreth shtëpisë të tij në Majorka dhe pranë liqenit të Gjenevës.

Që nga aksidenti, Schumacher nuk është parë në publik, me spekulime se ai mund të komunikonte vetëm duke pulitur sytë. Por burimet pretendojnë se kjo nuk është e vërtetë.

Njëri prej tyre tha: “Ai i kupton disa nga gjërat që po ndodhin rreth tij, por ndoshta jo të gjitha.”

Kishte thashetheme se ai do të shfaqej në dasmën e vajzës së tij, Gina-Maria, në vitin 2024, por këto rezultuan të pavërteta.

Vitin e kaluar, tre ish-punonjës të familjes u dënuan pasi kërcënuan se do të publikonin qindra fotografi të tij në gjendjen e tanishme. Disa javë më parë, vajza e tij ndau një foto të rrallë të gjithë familjes para aksidentit, në ditëlindjen e Schumacher-it, ku familja shihet duke buzëqeshur, me mbishkrimin: “Më të mirët përgjithmonë. Gëzuar ditëlindjen, babi.”