Rreth 120 fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Shqipëri, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë ende të pagjetur prej vitesh. Alarmi u dha të dielën nga Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur ALO 116 000 dhe dhe Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri ALO 116 111, në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.
Sipas të dhënave të përpunuara nga raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit për periudhën 2020-2024, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 576 raste të fëmijëve të humbur ose të larguar nga banesa. Vetëm në vitin 2020 janë raportuar 127 raste, në vitin 2021 janë raportuar 133 raste, në vitin 2022 janë regjistruar 98 raste, në vitin 2023 janë raportuar 128 raste dhe gjatë vitit 2024 janë raportuar 90 raste.
Ndërkohë, 11 fëmijë vijojnë të mbeten ende të pagjetur, duke lënë familjet në pritje prej vitesh. Mes tyre janë Bleona Mata, Azize Mirlak, Jasmina Jasharaj, Jonuz Luga, Julian Cela, Juliana Hoxha, Mateo Bejaj, Mitat Ibrahimi, Ndue Nikolla, Violeta Nikolla dhe Xhevair Gezdari. Në një deklaratë për mediat, ALO 116 000 dhe ALO 116 111 kërkojnë që çdo rast i raportuar i një fëmije të humbur të trajtohet me prioritet maksimal dhe me reagim të menjëhershëm nga institucionet.
“Çdo rast i raportuar i një fëmije të humbur duhet trajtuar me prioritet maksimal përmes bashkëpunimit të menjëhershëm mes Policisë së Shtetit, strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, shkollave, shërbimeve sociale dhe komunitetit”, thuhet në deklaratë.
Organizatat ngritën shqetësim edhe për numrin e lartë të fëmijëve të identifikuar në situata shfrytëzimi ekonomik dhe abuzimi. Sipas të dhënave të publikuara, vetëm gjatë periudhës 2021 – prill 2026 janë raportuar 1,431 raste të fëmijëve të shfrytëzuar, ndërsa numri total i fëmijëve të përfshirë arrin në të paktën 1,680.
Prej tyre, 701 janë djem, 612 vajza dhe 367 raste janë raportuar pa identifikim të qartë të gjinisë. Sipas ALO 116 000 dhe ALO 116 111, këto shifra tregojnë se shumë fëmijë në Shqipëri vijojnë të jenë të ekspozuar ndaj trafikimit, shfrytëzimit seksual, manipulimit, dhunës dhe formave të tjera të abuzimit.
“Fëmijët që jetojnë apo punojnë në rrugë mbeten ndër kategoritë më të pambrojtura dhe kërkojnë identifikim të hershëm, mbrojtje efektive dhe ndërhyrje të koordinuar institucionale”, thuhet më tej në deklaratë.
Në apelin e tyre, organizatat kërkojnë gjithashtu edhe forcimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik.
“Humbja e një fëmije nuk është vetëm një tragjedi familjare, por një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe institucionale. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i sigurt, i mbrojtur dhe pranë familjes së tij”, përfundon deklarata.
Sipas Missing Children Europe, më shumë se 250,000 fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Europë, duke e bërë mbrojtjen e fëmijëve dhe reagimin e shpejtë institucional një prioritet për çdo shtet.
Komente









