Qarku i Lezhës vijon të jete ndër zonat me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në vend. Sipas raportit të INSTAT-it, gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 122 aksidente rrugore, ku nuk kanë munguar as rastet me pasoja fatale. Akset rrugore që paraqesin më shumë probleme janë Milot–Lezhë–Shkodër, si dhe Rruga e Kombit, veçanërisht segmenti Milot–Rrëshen. Specialisti i sigurisë rrugore, Rrok Lelçaj, thotë se mungesa e sinjalistikës rrugore mbetet shqetësim, ndërsa një tjetër faktor që ndikon në aksidente është shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve.
“Sinjalistika rrugore, vëmë re se te kryqëzimi i Rrilës s’ka tabelë orientuese. Faktori njeri është kryesori sepse djemtë kanë besim të jashtëzakonshëm te lëvizjet e tyre. Në raste të rralla aksidentohen vajzat”, thotë Lelçaj.
Për uljen e numrit të aksidenteve, si ndërhyrje të rëndësishme shihen ndërtimi i autostradës Milot–Balldren–Shkodër, si dhe instalimi i kamerave të monitorimit në pikat më problematike. Sipas specialistit, këto masa do të ndihmonin në përmirësimin e sigurisë rrugore dhe në evidentimin e shkeljeve nga drejtuesit e automjeteve.
“Sot ka ardhur koha e dronëve, e kamerave. Kudo duhet të ketë tabela, orientime”, shton eksperti.
Numri më i lartë i aksidenteve në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës është regjistruar gjatë sezonit veror, periudhë kur edhe fluksi i lëvizjeve është më i madh.







Komente
Komento