“Pushteti korrupton, ndërsa pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”. Kjo thënie e njohur e historianit dhe politikanit britanik Lord Acton, e shkruar në një letër të vitit 1887 drejtuar peshkopit Mandell Creighton, duket se vlen edhe për qeveritë që qëndrojnë për një kohë të gjatë në pushtet.
Socialistët, të cilët qeverisin Spanjën prej tetë vitesh, nuk duken të imunizuar ndaj këtij fenomeni. Deri tani janë 126 persona të marrë si të pandehur në rreth dhjetë skandale, pak a shumë të rënda, që lidhen në një mënyrë ose tjetër me qeverinë e Pedro Sanchez. Gazeta "El Mundo", e cila i ka numëruar, thekson se çështjet gjyqësore “shtrihen në të gjitha nivelet e shtetit” dhe se numri i të pandehurve “është më i madh se ai i deputetëve socialistë në Kongres”.
Rastet më të fundit përfshijnë Belen Gualda dhe Bartolome Lora, presidente dhe nënkryetar të SEPI (Shoqëria Shtetërore e Pjesëmarrjeve Industriale), një holding shtetëror dhe fond sovran që administron pjesëmarrjet e shtetit në kompani, si edhe drejtoreshën e përgjithshme të Gardës Civile, Mercedes Gonzalez. Ajo akuzohet, së bashku me drejtorin operativ të Gardës Civile, Manuel Llamas, për pengim të drejtësisë, pasi dyshohet se kanë tentuar të ndikojnë te vartësit që po hetonin familjarët dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit.
Bëhet fjalë për poste kyçe në aparatin shtetëror spanjoll. Sanchez, për momentin, vazhdon të rezistojë falë mbështetjes së aleatëve të koalicionit, partisë së majtë radikale Sumar, si dhe partive nacionaliste baske dhe katalanase, të cilat nuk kanë asnjë interes të rrëzojnë qeverinë duke mbështetur një mocion mosbesimi të propozuar nga Partia Popullore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox. Ky front mund të lëkundet vetëm nëse provohet financim i paligjshëm i PSOE-së.
Lista e personave nën hetim është e gjatë dhe prek të paktën 26 zyrtarë të lartë, ende në detyrë ose tashmë të larguar. Mes tyre janë ish-ministri i Transportit dhe ish-bashkëpunëtori më i afërt i kryeministrit, Jose Luis Abalos, si dhe ndihmësi i tij Koldo Garcia, të dënuar përkatësisht me 24 dhe 19 vite burg në çështjen e njohur si “Rasti i Maskave”, për organizatë kriminale, korrupsion, trafik ndikimi dhe përvetësim të paligjshëm.
Në listë është edhe ish-kryeministri socialist Jose Luis Rodriguez Zapatero, mentori politik i Sanchez, i cili drejtoi Spanjën nga viti 2004 deri në vitin 2011. Sot ai është në qendër të skandalit “Plus Ultra”, që lidhet me kompaninë ajrore me kosto të ulët të shpëtuar me fonde publike gjatë pandemisë. Sipas akuzave, rreth kësaj çështjeje do të ishte ndërtuar një rrjet ryshfetesh dhe pastrimi parash që shtrihet deri në Venezuelë. Zapatero akuzohet se ndodhet në qendër të një rrjeti kriminal që dyshohet se ka devijuar mbi 2 milionë euro para publike.
Edhe më të rëndësishme konsiderohen hetimet që vazhdojnë ndaj Santos Cerdan, ish-sekretarit organizativ të PSOE-së dhe ish-numrit tre të partisë. Ai shihet si figura kyçe rreth së cilës rrotullohen shumë nga skandalet që po rëndojnë mbi kryeministrin socialist. Të dy ishin miq, madje sipas disa burimeve edhe “konfidantë”. Por pasi dolën regjistrimet që e implikonin Cerdan në “Rastin e Maskave”, që lidhet me dhënien e kontratave publike të fryra gjatë pandemisë së COVID-19, Sanchez u distancua shpejt prej tij. Megjithatë, ishte pikërisht Cerdan, i cilësuar si “Rasputini i Moncloas”, arkitekti politik i rikthimit të Sanchez në vitin 2017 dhe më pas i marrëveshjes me separatistët katalanas dhe baskë që i mundësoi të ruante postin e kryeministrit në vitin 2023.
Strategu politik u arrestua në qershor të vitit 2025 dhe u dërgua në burgun e sigurisë së lartë Soto del Real, nën akuzat për korrupsion, organizatë kriminale dhe trafik ndikimi. Ai kaloi 142 ditë në burg përpara se të lirohej përkohësisht. “Jam viktimë e një persekutimi politik”, vazhdon të deklarojë ai. Së fundmi është rikthyer në qendër të kronikës gjyqësore për dosje të dyshuara të mbledhura kundër gjyqtarëve dhe policëve që po hetonin familjarët dhe rrethin më të afërt të Sanchez.
Kjo na çon te rasti më i diskutuar dhe njëkohësisht më politik, por edhe më pak i mbështetur në prova: ai i bashkëshortes së Sanchez, Begona Gomez. Ajo është prej kohësh në shënjestër të gjyqtarit konservator Juan Carlos Peinado për favore të dyshuara të përfituara gjatë kohës kur drejtonte një katedër universitare në Madrid. E dërguar për gjykim për katër akuza korrupsioni, përfshirë përvetësim të paligjshëm dhe trafik ndikimi, “zonja e parë” është privuar nga pasaporta dhe detyrohet të paraqitet çdo dy javë në gjykatë për të firmosur një regjistër që vërteton se ndodhet në Spanjë. Hetimi nisi pas një kallëzimi të bërë nga organizata para-sindikale e ekstremit të djathtë Manos Limpias.
Ndërkohë, është në zhvillim edhe gjyqi ndaj vëllait më të vogël të kryeministrit, David Sanchez, muzikant dhe dirigjent orkestre. Ai akuzohet për trafik ndikimi dhe parregullsi të dyshuara fiskale. Dyshohet se posti publik që ai mbajti si përgjegjës i konservatorëve në provincën e Badajozit dhe më pas si drejtues i Zyrës Provinciale të Arteve të Bukura u krijua posaçërisht për të, vetëm për shkak të lidhjes familjare me kryeministrin. Edhe kjo procedurë nisi pas një kallëzimi të Manos Limpias, organizatë e konsideruar shumë pranë partisë Vox.
Sipas gjyqtarit Santiago Pedraz, i cilësuar si pranë së majtës, për të larguar vëmendjen nga “skandalet familjare” ishte ngritur një “skemë frikësimi” nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, me synimin për të destabilizuar drejtuesit e Gardës Civile dhe gjyqtarët që konsideroheshin armiqësorë. Në qendër të këtij hetimi ndodhet gazetarja dhe ish-këshilltarja socialiste në një komunë të vogël të Kantabrias, Leire Diez, e njohur me nofkën “hidraulikja”. Sipas akuzave, nën drejtimin e Santos Cerdan, ajo do të ishte takuar me sipërmarrës dhe policë për të siguruar materiale komprometuese, si edhe do të kishte ofruar favore dhe ryshfete për të korruptuar dëshmitarë ose për të mbledhur informacione sensitive.
Sipas hetuesve, qëllimi ishte diskreditimi i Gardës Civile, por edhe i gjyqtarëve dhe prokurorëve që po hetonin rrethin më të afërt të pushtetit socialist. Përveç Cerdan dhe Diez, në hetim janë përfshirë edhe figura të rëndësishme të Partisë Socialiste Spanjolle, si Ana Maria Fuente, administratore kombëtare e PSOE-së, si edhe drejtoresha dhe drejtori operativ i Gardës Civile.
Edhe Partia Popullore, sot në opozitë, nuk ka qenë e paprekur nga skandalet. Më i rëndësishmi ishte “Rasti Gurtel”, i cili çoi në rrëzimin e qeverisë së Mariano Rajoy përmes një mocioni mosbesimi më 1 qershor 2018, duke konfirmuar edhe një herë idenë se pushteti mund të sjellë korrupsion.
Sot, ndërsa skandalet prekin kampin progresist, dyshime të reja për korrupsion kanë përfshirë edhe një figurë të rëndësishme të opozitës. Bëhet fjalë për çështjen e Alvaro Garcia Ortiz, ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, i konsideruar pranë PSOE-së, i dënuar në nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata Supreme me dy vite ndalim të ushtrimit të detyrës për zbulim të sekreteve zyrtare.
Procesi nisi pas padisë së Alberto Gonzalez Amador, partnerit të Isabel Diaz Ayuso, presidente e Komunitetit të Madridit, për publikimin e të dhënave dhe emaileve konfidenciale që lidhen me procesin e tij për shkelje fiskale.
Sipas një raporti të Agjencisë Tatimore spanjolle, Amador ka faturuar 4,4 milionë euro ndaj gjigantit privat spitalor Quiron Prevencion, kompani që ka fituar disa kontrata publike me Komunitetin e Madridit gjatë tre viteve të para të marrëdhënies së tij me lideren politike.
Prokuroria pranë Gjykatës Supreme është shprehur në favor të dhënies së një faljeje të pjesshme për Garcia Ortiz, me qëllim shuarjen e pjesës së mbetur të ndalimit të ushtrimit të profesionit. Sipas prokurorisë, veprimet e tij nuk janë motivuar nga përfitimi personal, por nga dëshira për të luftuar dezinformimin dhe për të mbrojtur reputacionin e vetë Prokurorisë. Opozita, nga ana tjetër, e akuzon se ka dashur t’i “bëjë lojën” Partisë Socialiste për të goditur në mënyrë indirekte guvernatoren e Madridit./CorrieredellaSera
Komente






