“Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për të korruptuarit, kushdo qofshin ata. Nuk do ta përdor këtë platformë për të shpallur pafajësinë e familjes sime. Këtë do ta bëjnë vetë në gjykatë”, tha Pedro Sanchez

Me këto fjalë, të mbajtura para Dhomës së Ulët të Parlamentit, kryeministri spanjoll kërkoi sërish një “drejtësi të drejtë”, duke u distancuar nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe nga paraardhësi Jose Luis Rodriguez Zapatero, ndërsa vazhdoi të mbrojë fort bashkëshorten e tij Begonja Gomez dhe vëllanë David Sanchez.

I thirrur në Parlament për të dhënë sqarime mbi çështjet që përfshijnë drejtues të lartë të Partisë Socialiste dhe familjarë të tij, Sanchez e ndërtoi mbrojtjen në tre “kapituj”: “Një rast korrupsioni të qartë dhe jashtëzakonisht të rëndë që përfshin persona të caktuar, të cilët kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre brenda PSOE-së dhe qeverisë për t’u pasuruar. Një hetim ndaj ish-kryeministrit Zapatero, për të cilin askush nuk mund të nxjerrë ende përfundime dhe ku qeveria progresiste e koalicionit nuk ka asgjë për të fshehur apo për të cilën të pendohet. Dhe një seri veprimesh të koordinuara që synojnë dobësimin e qeverisë përmes sulmeve personale, fushatave të dezinformimit dhe gënjeshtrave.”

Në fund, Sanchez zgjodhi sërish të kalojë në sulm: “Po përpiqen të krijojnë idenë se ka korrupsion të përhapur, kur në fakt nuk është kështu”, tha kryeministri spanjoll. Ai përsëriti se pothuajse të gjitha rastet e korrupsionit lidhen me një grup njerëzish që janë përjashtuar tashmë nga PSOE-ja, edhe pse në të kaluarën kanë qenë shumë pranë tij, si Jose Luis Abalos, Koldo Garcia, Santos Cerdan dhe Leire Diez.

Më pas, ai ritheksoi se qeveria e tij nuk do të bjerë, duke argumentuar se kjo është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur korrupsionit. “Pyetja nuk është nëse do të vazhdojmë, por si mund të mos vazhdojmë”, u shpreh Sanchez.

I vënë nën presion nga skandalet, Sanchez përsëriti se PSOE-ja nuk është financuar në mënyrë të paligjshme dhe se ai nuk ka pasur dijeni për asnjë nga veprimet që po hetohen ose për të cilat janë dhënë tashmë vendime gjyqësore. Megjithatë, kryeministri pranoi se ajo që është zbuluar deri tani mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.

“Është e arsyeshme të supozohet se në muajt e ardhshëm do të vazhdojnë të dalin lajme dhe zhvillime ligjore. Do të ketë zbulime të reja. Veprime të reja ligjore. Mediat e djathta dhe establishmenti politik do ta paraqesin të gjithë këtë si një tjetër shembull të asaj që tani e quajnë degradim politik. Por të mos gënjejmë veten. Fatkeqësisht, degradimi ka ndodhur tashmë. Ajo që do të shohim në muajt e ardhshëm do të jetë ndjekja dhe spastrimi i tyre”, tha Sanchez.

Edhe pse përsëriti se ka “besim” te Zapatero, kryeministri mori tërthorazi distancë prej tij. “Në këtë çështje, qeveria ka vetëm një detyrë: të sqarojë nëse ka pasur trajtim preferencial në kredinë për Plus Ultra. Dhe përgjigjja është e qartë: nuk ka pasur”, tha ai, duke iu referuar kompanisë ajrore me kosto të ulët që u shpëtua nga falimentimi dhe që ndodhet në qendër të hetimit ku përmendet edhe ish-kryeministri socialist.

Më i vendosur ishte në mbrojtje të familjarëve të tij për çështjet e korrupsionit për të cilat janë dërguar për gjykim. “Nuk e kam të lehtë të flas për këtë. Sepse bëhet fjalë për njerëzit që dua më shumë. Dhe sepse e di, pa asnjë dyshim, se këto akuza janë të pabazuara dhe pjesë e një modeli ngacmimi dhe shpifjesh, të ngjashëm me atë që kemi parë edhe në vende të tjera perëndimore”, tha Sanchez, duke iu referuar vëllait dhe bashkëshortes së tij.

“Kërkoj vetëm që drejtësia të jetë e paanshme”, shtoi ai.

I ashpër ishte edhe sulmi i liderit të Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, i cili akuzoi Sanchezin për “mungesë totale morali” dhe e cilësoi si “hallkën politike të korruptuar” në të gjitha çështjet që përfshijnë qeverinë dhe PSOE-në.

Ndërkohë, shenjat e para të pakënaqësisë po shfaqen edhe në kampin e larmishëm që mban në këmbë qeverinë e pakicës së drejtuar nga socialisti spanjoll. Nacionalistët katalanas të partisë së qendrës së djathtë Junts per Catalunya, që e mbështesin qeverinë nga jashtë, i kanë kërkuar kryeministrit të tërhiqet dhe të propozojë një politikan tjetër në vend të tij. Megjithatë, asnjë prej aleatëve, brenda apo jashtë qeverisë, nuk duket i gatshëm ta rrëzojë ekzekutivin me mocion mosbesimi, siç kërkon opozita, e cila nuk i ka e vetme votat e nevojshme në Parlament.

Sulmi më i fortë erdhi nga lideri i së djathtës ekstreme, Santiago Abascal, i cili akuzoi Sanchez se po përgatit një manipulim zgjedhor për të qëndruar në pushtet.

“Po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e ardhshme për të ndryshuar rezultatin”, deklaroi Abascal./ CorrieredellaSera