TIRANE- 112 vjetori i policisë përkon me vitin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj. Sipas Kodit Elektoral policia ka detyra specifike në sigurimin e mbarëvajtjen e procesit. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i vetëdijshëm për ngarkesën me të cilën përballet trupa policore kërkoi të jenë në lartësinë e duhur
“Përveç barrës së zakonshme të punëve dhe detyrave që keni, viti 2025 ju sjell edhe një ngarkesë shtesë, jo të lehtë për Policinë e Shtetit dhe vetë Ministrinë e Brendshme. E kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë dekretuar për t’u zhvilluar në datë 11 maj. Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë. Megjithatë, unë kam besim se strukturat e Policisë së Shtetit zotërojnë aftësitë e duhura, integritetin dhe përkushtimin e kërkuar, për të qenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë"
Procesin e ndryshimeve të strukturave drejtuese të policisë e sheh si përpjekje për të ndërtuar një polici që jo vetëm qëndron mbi bazën e meritokracisë por u shërben qytetarëve me profesionalizëm.
“Para strukturave të policisë së shtetit sot qëndrojnë sfidat më kritike të kohës tonë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, garantimi I sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë përfshi kontrollin e plotë të territorit, rritjen e efektivitetit ndaj hetimit të rasteve të dhunës në familje, trafikimi apo krimeve që ne i konsiderojmë të vogla por që cënojnë drejtëpërdrejtë të drejtat themelore të qytetarëve tanë.
Besimplotë tek puna që drejtuesit e rinj do të kryejnë u la dhe porositë.
“Puna e strukturave të drejtuesve të policisë nuk do të matet vetëm më numrin e rasteve dhe problematikave të zgjidhura, por dhe perceptimin e sigurisë tek qytetarët. Nuk do të matet vetëm me urdhrat që jepen nga zyra por dhe shembulli e modeli që demonstroni cdo ditë. Dua të shoh një trupë drejtuese që nxit bashkëpunimin e transparencën”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në ceremoninë e organizuar për 112-vjetorin e Policisë së Shtetit, falenderoi të gjithë punonjësit e policisë për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.
Falë punës së Policisë së Shtetit, Veliaj deklaroi se Tirana është kthyer në një nga qytetet më të sigurta të Evropës.
“Kush punon për policinë e Qarkut të Tiranës e ka akoma më të vështirë detyrën sepse këtu jeton një popullsi shumë më e madhe se sa në qarqet e tjera. Do të duhet të pranojmë gjithashtu, se Policia e Shtetit ka pasur ndoshta hovin më cilësor në këto vite të fundit. Unë e di që ne ndonjëherë pak ia themi të mirat njëri-tjetrit dhe pak i themi njëri-tjetrit sa krenar jemi dhe sa shumë e vlerësojmë punën e njeri-tjetrit, mezi na del fjala e mirë, por unë jam këtu për të thënë pikërisht këtë: sot Policia e Shtetit e ka kthyer Tiranën një nga kryeqytetet më të sigurta në Evropë”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se prej sigurisë që ofrohet në qytet, Tirana, ka rritje jo vetëm të popullsisë së saj, por edhe të numrit të turistëve.
‘Kur shikojmë statistikat e Eurostat-it dhe se mikro-kriminaliteti është nga më të ulëtit në Evropë; kur shikoj se si kolegë kryebashkiakë në qytete të tjera nuk e imagjinojnë dot jetën pas orës 2-3 të natës, ndërkohë që Tirana gëlon 24/7, ky është një kompliment i jashtëzakonshëm për Policinë e Shtetit. Sigurisht, ne kemi kaluar disa sfida të jashtëzakonshme, Tirana sot nuk ka vetëm 1 milion banorët e saj, por ka mesatarisht 1 milion turistë në muaj. Vjet kaluam shifrën e 12 milionë turistëve. Praktikisht, një polic i Tiranës i shërben dy herë popullsisë që mund të jetë në letra, ndërkohë që është dyfish në realitet”, shtoi ai.
Mesazhin e tij, Veliaj e përmbylli me një ftesë për politikanët opozitarë që të respektojnë punën e Policisë së Shtetit. Veliaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në menaxhimin e sfidave të reja, që pritet të sjellin ngjarjet dhe aktivitetet ndërkombëtare që do të zhvillohen këtë vit në vendin tonë.
“Tirana ka qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë, Kryeqyteti Evropian i Sportit, këtë vit Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, ndaj parashikojmë se do të ketë shumë lëvizje, do të ketë shumë delegacione, jam i bindur se do të kalojë me sukses, dhe e di që sot Tirana është kthyer në një qendër politike falë këmbënguljes së Kryeministrit”, deklaroi Veliaj.