E marta e 17 marsit shënoi nisjen e pelegrinazhit 13-javor në Kishën e Shna Ndout, një nga vendet më të rëndësishme të besimit katolik në vend.

Që në orët e para të mëngjesit, qindra besimtarë nga qytete të ndryshme, por edhe nga trojet shqiptare, iu drejtuan kishës në kodrën e qytetit të Laçit për të kryer lutjet e tyre për shëndet, paqe dhe mbarësi në familje.

“Lutem për të gjitha të mirat për familjen tonë dhe gjithë shqiptarisë.”

“Për shëndet për jetë, për çdo gjë.”

“Ka bërë mrekulli. Ka ardhur pa folur, ka iku duke folur, kanë ardhur pa mundësi për të ecur, knë ikur duke ecur. Të gjithë vijnë për derman”, thanë disa prej besimtarëve.

Pelegrinët ngjiten drejt kishës me qirinj në duar, duke ndaluar për lutje përgjatë rrugës. Shumë prej tyre tregojnë se kthehen çdo vit, duke e konsideruar këtë pelegrinazh një traditë të rëndësishme shpirtërore dhe një moment reflektimi.

“Kemi shumë besim. Zoti është i mirë. Vij shpesh”.

Lutem zotit, të mira për krejt popullin”, thanë besimtarët.

Pelegrinët besojnë se Shna Ndou bën mrekulli, sidomos në shërimin e të sëmurëve, ndaj nuk i ndalojnë lutjet gjatë gjithë rrugëtimit.

Ky ritual fetar, i njohur si “13 të martat e Shna Ndout”, zhvillohet deri më 13 qershor, kur kremtohet Festa e Shna Ndout.

Festa lidhet me figurën e Shën Antonit të Padovës, i njohur si shenjti i mrekullive. Ai ndërroi jetë më 13 qershor të vitit 1231, datë që në traditën kishtare konsiderohet si dita e kalimit në jetën e përjetshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
Pelegrinazhi i Shna Ndout në Laç, Policia e Lezhës dhe Kurbinit plan masash për sigurinë e besimtarëve

Policia e Lezhës dhe ajo e Kurbinit kanë marrë një plan të posaçëm masash për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, Laç, i cili do të zhvillohet çdo të martë, për 13 javët në vijim.

Me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, menaxhimin e fluksit dhe lëvizjes dhe parandalimin e aksidenteve rrugore,  shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë – Laç” deri në Kishën e Shna Ndout, me qëllim orientimin e lëvizjes dhe shmangien e bllokimeve.

Shërbimet policore janë vendosur edhe në kryqëzimet kryesore në Patok, pranë Gjykatës në Laç, në afërsi të varrezave të qytetit,  në hyrje/daljet e vendparkimit në perimetrin e kishës, si dhe në segmentin malor të rrugës, ku rreziku për krijimin e bllokimeve është më i lartë.

Duke u uruar besimtarëve një pelegrinazh të mbarë, shërbimet e policisë apelojnë që për çdo nevojë apo rast paligjshmërie, qytetarët të kontaktojnë me policinë e shtetit.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit 

"Policia e Lezhës dhe Policia e Kurbinit, plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, Laç, i cili do të zhvillohet çdo të martë, për 13 javët në vijim. 

Objektivat kryesore të këtij plani janë parandalimi i ngjarjeve kriminale, menaxhimi i fluksit të lëvizjes, parandalimi i aksidenteve rrugore, si dhe administrimi i trafikut në itinerarin drejt kishës.Në zbatim të masave të përcaktuara, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë – Laç” deri në Kishën e Shna Ndout, me qëllim orientimin e lëvizjes dhe shmangien e bllokimeve. Gjithashtu, janë mbuluar me shërbime policore kryqëzimet kryesore në Patok, pranë Gjykatës në Laç, si dhe në afërsi të varrezave të qytetit.

Shërbimet e Policisë janë dislokuar dhe në hyrje/daljet e vendparkimit në perimetrin e kishës, si dhe në segmentin malor të rrugës, ku rreziku për krijimin e bllokimeve është më i lartë. Ndërkohë, patrullat e Rendit Publik, Policia Rrugore dhe strukturat e Policisë Kriminale janë angazhuar në terren për garantimin e sigurisë së besimtarëve dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm. 

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët, të respektojnë udhëzimet e Policisë, me qëllim shmangien e vonesave dhe zhvillimin e një pelegrinazhi të qetë dhe të sigurt. Policia e qarkut Lezhë mbetet në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë dhe siguri për të gjithë qytetarët pjesëmarrës.Urojmë të gjithë besimtarët për një pelegrinazh të mbarë, dhe apelojmë që për çdo nevojë apo rast paligjshmërie, të kontaktoni në çdo kohë me Policinë"