Policia e Lezhës ka identifikuar dhe ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj dy të miturve, 17 dhe 14 vjeç për vjedhjen e kryer një ditë më parë në shkollën “Besëlidhja”.

Sipas pamjeve filmike, dy të miturit dhe 4 të tjerë, kanë dëmtuar dyert e brendshme të shkollës dhe kanë marrë 16 laptopë dhe DVR-në e kamerave të sigurisë.

Drejtoresha e shkollës njoftoi policinë pasi kishte konstatuar 5 dyer të dëmtuara.

Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e të tjerëve, si dhe gjetjen e sekuestrimin e laptopëve dhe DVR-së.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, ku shtetasja A. L., drejtoreshë e një shkolle 9-vjeçare në qytetin e Lezhës, kishte njoftuar Policinë se në ambientet e brendshme të shkollës kishte konstatuar 5 dyer të dëmtuara dhe dyshohej për marrjen e disa dokumenteve dhe pajisjeve, grupi hetimor nën drejtimin  Prokurorisë kreu veprimet e  para hetimore në lidhe me rastin.

Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë bënë të mundur identifikimin dhe procedimin penal në gjendje të lirë të 2 shtetasve të mitur, 17 dhe 14 vjeç, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me 4 persona të tjerë, kanë dëmtuar dyert e brendshme të shkollës dhe kanë marrë 16 laptopë dhe DVR-ën e kamerave të sigurisë.

Nga këqyrja e pamjeve filmike në ambientet e shkollës rezulton se në këtë ngjarje kanë marrë pjesë gjithsej 6 persona, dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e laptopëve dhe DVR-së.