Në ambientet e Bazilika e Nanës së Këshillit të Mirë u inaugurua një ekspozitë muzeale me karakter historik dhe shpirtëror, në kuadër të 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqipërisë.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, me pjesëmarrjen e Hirësisë së Tij, Kardinalit Rolandas Makrickas, përfaqësues nga Bazilika Papnore e Santa Maria Maggiore, si dhe autoriteteve të larta fetare dhe civile.

Ekspozita paraqet një përmbledhje të pasur objektesh me vlerë të veçantë historike dhe kulturore, të cilat dëshmojnë për përkushtimin në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore ndër vite, edhe në periudha sfiduese për vendin.

Organizatorët theksuan se përmes kësaj nisme synohet jo vetëm rikthimi i memories kolektive, por edhe forcimi i identitetit kulturor dhe fetar të komunitetit.

 “Besimi dhe kujtesa nuk paraqiten thjesht si dimensione të së kaluarës por si realitete të gjalla që ndërthuren me vetëdijen dhe përvojën tonë shpirtërore. Ky takim është një akt kujtese i gjallë ku e kaluara merr kuptim në dritën e të tashmes. Sot nuk hapim thjesht një ekspozitë por  hyjmë në një hapësirë ku simboli tejkalon vetveten dhe bëhet shenjë e një pranie që shoqëron historinë. 130 vjetori i shpalljes së Nanës së Këshillit të mirë si Pajtore e Shqipërisë nuk është thjesht një datë kronoligjike por një moment teologjik ku hiri i Zotit dhe historia takohen bashkë. Për popullin shqiptar Zoja është e mishëruar tek shpresa dhe qendresa. Kjo ekspozitë është një udhëtim në kujtesë që shndërrohet në vetëdije” tha Dom Artur Jaku, rektor i Bazilikës.

“Jam i lumtur të je mi pranishëm në këtë jubilee. Është shumë prekëse të shohësh se si nga kjo bazilike devotshmëria  mariane  është e përhapur në të gjithë botën. Kjo shenjtore është e ndëruar ndër shekuj. Përgjatë shekujve këtu janë lutur shumë besimtarë dhe martirë, ndaj është shumë domethënëse të nisim me këtë festë dhe këtë moment lutjeje nëpërmjet historisë sepse ajo na mëson se si besimi ynë merr thellësi dhe domëthënie më të mëdha gjatë viteve. Kjo bazilikë ka qenë në qendër të vemendjes së Papëve. Kujtojmë vizitën e Atit të Shenjtë, Gjon Palit II po ashtu edhe Papa Francesku që i dha edhe titullin” tha Rolandas Makrickas, Kardinal i Bazilikës “Santa Maria Maggiore”

Një ndër elementët më tërheqës të ekspozitës është veshja tradicionale e përdorur nga Nënë Tereza gjatë rinisë së saj, një relike e rrallë që ofron një lidhje të drejtpërdrejtë me fillesat e rrugëtimit të saj njerëzor dhe shpirtëror. Ky objekt i jep ekspozitës një dimension të veçantë simbolik dhe emocional.

“Objektet dhe materialet që do të shohim këtu, mbartin histori të heshtura por shumë domethënëse. Shumë prej tyre janë ruajtur me guxim gjatë viteve të errëta të diktaturës komuniste, veccanërisht gjatë viteve 1967 deri në vitin 1990, një periudhë kur feja u ndalua dhe shenjët e saj u përndoqen. Falë sakrificës së njerëzve të Shkodrës që nuk hoqën dorë nga feja dhe tradita e tyre” tha historian Pjerin Mirdita.

“Mendoj që në të gjitha kishat, Zoja e Këshillit të Mirë rron më së shumti ndjenja e shpresës” shtoi kuratori Luçian Bedeni

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, duke ofruar një mundësi reflektimi dhe njohjeje më të thellë me trashëgiminë historike e fetare, si një pasuri që kërkon përkujdesje dhe përcjellje ndër breza.