Rritja e aksidenteve rrugore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ishte në fokus të emisionit “Sot Live në Shqipëri”, ku eksperti i sigurisë rrugore Fadil Likaj dhe juristja Greta Ambeli diskutuan shkaqet dhe zgjidhjet për përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-qershor 2026 u regjistruan 679 aksidente rrugore, 43 më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 6.8% rritje. Vetëm gjatë qershorit ndodhën 132 aksidente, 25 më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i të aksidentuarve u rrit nga 140 në 186 persona.

Fadil Likaj tha se pjesa dërrmuese e aksidenteve lidhet me mosrespektimin e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.

“83.7% e aksidenteve janë të shkaktuara nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga ana e drejtuesve të automjeteve. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin gjatë orëve të natës. Ka shumë që janë të papajisur me leje drejtimi dhe janë nën efektin e pijeve alkoolike. Ka drejtues mjetesh që u është hequr leja dhe sërish dalin në rrugë pa patentë. Një tregues tjetër është fakti që të miturit dalin në rrugë me motomjete dhe automjete. Aksidente kanë ndodhur për shkak të parakalimeve apo manovrave të gabuara”, tha Likaj, duke theksuar se nuk mjaftojnë vetëm gjobat dhe heqja e patentave, por nevojitet më shumë ndërgjegjësim.

Edhe juristja Greta Ambeli u ndal te përgjegjësia e institucioneve, duke thënë se reagimi vjen vetëm pasi ndodhin tragjeditë.

““Është për të ardhur keq që shteti ngrihet në këmbë vetëm pasi ndodh tragjedia. Ndryshimet në Kodin Rrugor nuk kanë pasur analizë shkencorë të vendimeve, shkaqeve, autorëve por kanë qenë të diktuara nga problemi i krijuar nga një humbje jete. Duhet të ketë reformë gjithëpërfshirëse. Entet pronare të rrugëve të pajisin rtrugë me sinjalizim dhe barriera sigurie të një cilësie të lartë, duhet të ketë kontroll të vazhdueshëm të strukturave përkatëse. Nuk është vetëm vendosja e radarëve zgjidhja. Duhet të ketë bashkërendim mes kamerave dhe policisë në terren. Duhet të ketë ndërgjegjësim edhe nga ana e qytetarëve që nuk dinë si të sillen në rrugë. Edukimi mbi sigurinë rrugore duhet të futet në kurrikulat e klasës së parë që të mësojnë të respektojnë rregullat e qarkullimit. Policia rrugore duhet të ketë në përbërje profesionistë që kanë diplomë inxhinieri që mund të bëjnë analiza të sakta të aksidenteve” u shpreh Ambeli.

Ndërkohë, qeveria ka parashikuar në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 vendosjen e kamerave të shpejtësisë dhe sinjalistikës inteligjente në segmente të përzgjedhura të rrjetit kombëtar, si edhe rishikimin e kufijve të shpejtësisë sipas nivelit të rrezikut në secilën rrugë. Strategjia parashikon gjithashtu monitorimin elektronik të shpejtësisë dhe koordinimin e sistemeve me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut.