SHKODËR- Një protestë është zhvilluar ditën e sotme në Shkodër, ku 132 banorë që jetojnë në zonën e ish-Divizionit kërkojnë legalizimin e banesave të tyre. Këta banorë një letër drejtuar drejtueses politike të PS-së për Qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropalit, kryebashkiakut së Shkodrës, Bardh Spahia dhe kandidatit të PS për Shkodrën, Benet Becin kërkojnë që të gjendet një zgjidhje dhe të pajisen me certifikata legalizimi dhe pronësi, në të kundër do të bojkotojnë zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Ne, tani dy muaj përpara zgjedhjeve kemi vendosur unanimisht që asnjë nga familjet tona dhe as të afërmit tanë, nuk do të marrim pjesë në votimet e 14 majit. Do vazhdojmë dhe rrugën e protestave dhe të gjitha format e kundërshtimeve derisa te na jepet zgjidhja për te na privatizuar dhe legalizuar shtëpitë tona”, shkruhet në letër.

Në protestën e mbajtur ditën e sotme, banorët kanë ripërsëritur apelin drejtuar institucioneve të Bashkisë së Shkodrës që të mos ua sorollasin procesin e legalizimit, të cilin e kanë nisur që prej vitit 2005, për të cilin kanë paguar faturat. Ata thonë se prej 26 vitesh asnjë nga këto familje që jeton në zonën e ish-Divizonit nuk kanë asnjë lloj dokumenti për pronën, ndonëse procesin e legalizimit e kanë nisur prj vitesh madje kanë kryer edhe pagesat.

Vetë banorët e zonës pranojnë që i kanë zënë këto godina që në vitet 1992 përdoreshin për strehimin e ish-ushtarakëve. Ata thonë se janë vendosur në godinat e ish-Divizionit pas migrimit të brendshëm që kanë bërë në vitet e hershme. Ata pretendojnë se paguajnë çdo lloj takse të bashkisë, ujë dhe drita në banesat që po përdorin. Ndërkohë, që ata thonë se sipas ligjit, nëse kalojnë 20 vite dhe nuk ka pretendime për pronën, tashmë janë ata pronarët.

“Theksojmë se kemi 26 vite qe jetojmë këtu dhe Kushtetuta e Shqipërisë thotë qartë: Neni 169: Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj”, thuhet në letër.

Zona e ish-Divizionit ndodhet në lagjen ‘Skëndërbeg’ në Shkodër. Banorët thotë se gjithmonë kanë pasur premtime që do t’iu zgjidhet ky problem, por deri më tani nuk është bërë asgjë.

Kjo çështje rikthehet edhe njëherë pas thuajse më shumë se 10 vitesh në qendër të opinionit publik në Shkodër. Para 10 vitesh, banorët kanë pasur të njëjtën kërkesë por asnjëherë s’kanë marrë një përgjigje konkrete. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet në Shkodër.  

Zona në të cilën banojnë këto 132 familje përdorej nga Ministria e Mbrojtjes për të strehuar personalin ushtarak. Deri në vitet ‘92 kjo zonë ka shërbyer për vendosjen e banimit të personelit ushtarak dhe më pas me braktisjen e këtyre godinave janë strehuar këto familje që sot kërkojnë certifikatë pronësie.

Në total janë 132 familje. 26 familje jetojnë në ndërtesën dykatëshe të Ish-Komandës së Divizionit, 45 familje jetojnë në ish-fjetore dhe magazina te Ish-Divizionit, 20 familje kanë ndërtuar shtëpi të reja në tokat e lira përmes banesave ekzistuese. Po në ketë territor, 41 familje ushtarakësh u strehuan nga qeveria në objektet që u ndërtuan për kosovaret, në vitin 1999.

Letra drejtuar Spriopalit, Spahisë dhe Becit