PRIZREN – Kremtimi i 134-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ka mbledhur para godinës ku u arrit kjo lidhje, personalitete nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu, i pranishëm në ceremoninë e kremtimit të kësaj lidhjeje ishin kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kreu i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, përfaqësues të ambasadës shqiptare në Prishtinë, e shumë të tjerë. Lidhja e Prizrenit është konsideruar nga të gjithë të ftuarit që morën fjalën, si një nga ngjarjet më të rëndësishme, që nga luftërat e Skëndërbeut. Ndërsa kreu i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili është marrë me organizimet, e konsideroi 134-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, se ky përvjetor është shumë i veçantë, pasi përkon me vigjiljen e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.


Berisha: Fqinjët të çlirohen nga paragjykimet ndaj shqiptarëve

Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi sot me rastin e 134-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, se fqinjët duhet të çlirohen ndaj paragjykimeve ndaj shqiptarëve. Ai vlerësoi në fjalën e tij kontributin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s për çështjen e shqiptarëve. Ai shprehu mirënjohjen e veçantë për presidentin Obama, që siç e konsideroi Berisha, ai është “miku më i madh i kombit shqiptar”. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut.
“Kosova nxori burra mendjendritur si Ibrahim Rugova. Mirënjohje dhe nderim për veprën e madhe të qytetarëve të Kosovës”, tha Berisha gjatë ceremonisë së 134-vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Thaçi: Më 2 korrik përmbyllet faza e pavarësisë së Mbikëqyrur

Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dha sihariqin se më 2 korrik të këtij viti, përmbyllet faza e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Me këtë rast, ai falënderoi SHBA, BE dhe NATO për ndihmën që kanë dhënë në çështjen shqiptare. “Shqiptarët nuk kanë pasur kurrë pozicion më të mirë. Jemi në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës”, tha Thaçi. Ai vijoi se pavarësia e Kosovës e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve dhe i dha kuptim edhe Lidhjes së Prizrenit. Nëse para 13 vitesh, sipas Thaçit, diskutohej nëse ishim një komb apo jo, sot Kosova po zhvillohet e ndërtohet. “Para 13 vitesh na ndanin telat me gjemba, sot kufijtë ku jetojnë shqiptarët po hapen. Për herë të parë shqiptarët lëvizin lirshëm në rajonin ku jetojnë. Sot ndërtojmë një autostradë, atë të integrimit. Kemi abetare të përbashkët, po unifikohemi në në bazë të vlerave kombëtare”, tha Thaçi, duke shtuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe, stabilitet.


Lidhja e Prizrenit, pak histori...

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Në takim kishte edhe boshnjakë nga Bosnja dhe Sanxhaku, shqiptarë të asimiluar. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, adminstrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Është etapa paraprake para pavarësisë të Shqipërisë. (l.n/shqiptarja.com)