Policia thotë se 51 efektivë janë lënduar nga sulmet e protestuesve gjatë protestës së dhunshme në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, janë lënduar edhe 5 protestues dhe 1 kalimtar. Të gjithë të lënduarit po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të përsëritura protestuesve që të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të ndalojnë sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Njoftimi i plotë
Policia e Shtetit përsërit thirrjet e bëra përgjatë gjithë ditës së sotme për pjesëmarrësit në tubim: Distancohuni menjëherë nga dhuna!
Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.
Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas.
Lajmi kryesor:
‘Gjendje lufte’ në Tiranë, kaosi ‘padron’ i rrugëve! Sulmohen 8 prej institucioneve kryesore, zjarr 3 ministrive e 4 bankave! Në flakë dhe plaçkiten biznese private! 51 policë të lënduar dhe 35 të shoqëruar











