Protestuesit e maskuar që sulmuan institucionet e qeverisë, Bankën e Shqipërisë, bizneset private dhe pronën publike janë “luanë” për Sali Berishën. Në një deklaratë për mediat, kreu i PD thotë se ata kanë reaguar për shkak të dhunës së policisë dhe janë përgjigjur në mënyrë heroike.
Megjithatë, reagimi i policisë ditën e sotme ishte më i zbutur krahasuar me atë të së martës, duke ndërhyrë vetëm në momentet më kritike.
“Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë! Edi Rama duke urdhëruar narko-banditë të tij për të çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorni çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesit e tyre. Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme, me thyerje të femurit, të këmbës, çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spray ariu në sy apo iu gjuajtën me brutalitet me topa uji. Duhet theksuar se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës. Studentët kanë një seri arsyesh shumë të forta për t’u përballur me këtë qeveri dhe për të arkivuar në banesën e turpit të historisë”, tha Berisha.
Thirrja e Sali Berishës ndaj qytetarëve, por edhe demokratëve është të përkrahin protestuesit. Veç kësaj, thotë se kryeministri Rama s’e ka kuptuar rëndësinë e kësaj proteste që sipas tij shënon pikë kthese. Ndaj kreut të qeverisë, ai përsërit apelin për dorëheqje.
“Të angazhohen me gjithë mundësitë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin sa më të shpejtë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Ai mendon se kjo protestë nuk dallon nga protesta të tjera. Gabon shumë rëndë. Kjo është protesta kur u mbush kupa. Nuk ka ku të shkojë. Studentët janë shumë të kthjellët. Tirana dhe Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme që PD të bëjë çdo gjë për mbrojtjen, mbështetjen e tyre. Kjo është një orë shumë e rëndësishme e historisë. Kjo është një orë vendimtare. Çdo anëtar, çdo mbështetës i PD duhet të gjendet në anën e studentëve në këtë orë të historisë. Dënoj forcën brutale, të paparë ndaj protestuesve paqësorë dhe shprehur solidaritetin tonë të plotë me protestën studentore. I rikujtoj Edi Ramës se nuk ka asnjë shpresë. Ndaj, jep dorëheqjen që kriza të mos të të përpijë. Jep dorëheqjen se historia ka aprovuar se ata që s’kanë ditur, e kanë pësuar në mënyrën më fatale”, tha Berisha.











Komente
Komento