Katër vite burg në total kërkon një gjykatë belge për dy shqiptarë që bënë ‘kërdinë’ në 14 banesa gjatë Krishtlindjeve që lamë pas.

Tre vite për 29-vjeçarin Dod M. dhe një vit për 51-vjeçarin Alfred E. është pretenca e prokurorisë. Të dy u arrestuan në flagrancë në janar, ndërsa vidhnin një banesë në Gistel, pak pasi kishin grabitur një tjetër.

Përmes kamerave, makina e tyre e marrë me qira, një Citroën C1, u lidh me një sërë vjedhjesh të tjera në banesa dhe me katër tentativa për vjedhje në Ichtegem, Oudenburg, Ostendë, Menen dhe Beerse.

Plaçka e vjedhur përbëhej kryesisht nga bizhuteri dhe para cash, por mes tyre kishte edhe tetë kilogramë monedha argjendi dhe një medaljon ari të mbretit Boudeëijn. Disa prej familjeve që janë prekur nga vjedhjet kanë shprehur edhe rëndesën emocionale.

“Ngjarjet kanë ndodhur gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri”, deklaroi prokurori Lode Vandaele. “Pikërisht në një periudhë kur njerëzit mendojnë për paqen në tokë. Të pandehurit e kanë shkatërruar plotësisht këtë ide.”

Prokuroria e konsideron Dod M. si figurën kryesore pas serisë së vjedhjeve. Avokatja Nadia Lorenzetti i kërkoi gjykatës që klienti i saj të dënohet vetëm për ngjarjet në Gistel. Sipas saj, Dod M. e kishte marrë me qira makinën me kërkesë të një miku dhe të dhënat e kamerave, së bashku me gjurmët e paqarta të këpucëve, nuk mjaftojnë për ta lidhur atë me vjedhjet e tjera. Shqiptari u kërkoi falje viktimave, “por vetëm për atë ditë”.

Vendimi do të shpallet më 27 gusht.