14 punonjës të policisë dhe ish-zyrtarë, përfshirë ish-shefin e Rendit, Saimir Rustemi dhe punonjës të administratës së Policisë së Shkodrës, u arrestuan pasi akuzohen se kanë favorizuar subjekte të ndryshme në periudha të caktuara për të përfituar fiktivisht tendera me vlera të vogla në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Sipas hetimeve të Prokurorisë veprimet e dyshuara janë kryer gjatë periudhës 2020-2021dhe punonjësit e Auditimit, siç thotë organi i akuzës, dyshohet se në mënyrë të qëllimshme nuk kanë pasqyruar shkeljet e kryera me procedurat e prokurimit.

Kryekomisar Saimir Rustemi ndaj të cilit Gjykata ka vendosur arrest me burg, një muaj më parë është transferuar në sallën operativë të Policisë së Dibrës, dhe akuza e ngritur ndaj tij është e shpërdorimit të detyrës.  Arrestimi i tij ka ngjallur revoltën e gazetarëve të kronikës, si në Shkodër dhe Tiranë që kanë bashkëpunuar ndër vite me kryekomisarin dhe e vlerësojnë ndër efektivët më të trajnuar që është përballur me shumë grupe kriminale të rrezikshme. Sipas burimeve, Saimir Rustemi është vënë në akuzë për një tender të rikonstruksionit të komisariatit të Policisë së Shkodrës, në vlerën 2 milionë lekë. 

Gazetarët thonë se nëse ka pasur një abuzim në tender përgjegjësia bie mbi drejtuesit e mëdhenj, pasi kryekomisariari Rustemi sipas tyre vetëm ka hedhur një firmë. Gazetari Senad Nikshiqi shkon më tej kur ngre dyshime se edhe transferimi në Dibër i shefit të rendit të Shkodrës, lidhet me zbulimin e 500 mijë rrënjë kanabisi asgjësuar në malin Oblikë, që sipas tij policia i zvogëloi në 500 rrënjë dhe fshehu trafikantët.

Në dosjen e hetimeve, Prokuroria flet edhe për vjedhje nga pagat e punonjësve të policisë. Sipas hetuesve, financierja e Drejtorisë së Shkodrës, Veronika Xhanaj, akuzohet se ka përvetësuar shuma të ndryshme parash nga pagat e policëve, në periudha të caktuara dhe i ka shpërndarë me punonjës të tjerë të policisë.

Gjykata e Shkodrës vendosi arrest me burg për 9 prej të arrestuarve, ndërsa 5 ndodhen në ‘arrest shtëpie’, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.

Disa prej të arrestuarve: 

  1. Luida Ujka
  2. Saimir Rustemi- ish-shef i rendit Shkodër
  3. Mustaf Ishmaku
  4. Arsenida Hadri
  5. Veronika Gjanaj- specialiste financiare
  6. Xhavid Isufi- specialist rendi
  7. Rudina Keçi- specialiste finance