TIRANË- Me gishtin drejtuar SPAK për padrejtësinë që ende lëngon për masakrën e 21 janarit, shefi i qeverisë Edi Rama priti në Kryeministri familjarët e 4 protestuesve të vrarë në 2011 me plumbat e shtetit gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Ndonëse zgjedh që ish-kryeministrin e asaj kohe të mos e përmendë me emër, Rama kujtoi episodin e 21 janarit para familjarëve të viktimave, kur tha se njeriu i zgjedhur nga populli iu përgjigj protestuesve me plumba balli, ndonëse ata nuk ishin futur brenda ambienteve të Këshillit të Ministrave dhe ndërkohë numri i tyre në shesh ishte duke u zvogëluar.
“15 vjet më parë, këtu në këtë godinë ishte barrikaduar një hordhi e armatosur përzierje e trupës së rregullt të gardës së republikës dhe çetës së paramilitantëve famëkeq të kryeministrisë. Godina ishte përforcuar tela me gjemba, shtrirë gjithandej pas atij gardhit të shëmtuar dhe hekurave qe e rrethonin që pas sulmit të armatosur të 14 shtatori ‘98, pse që ishin dhe disa të barrikaduarit në 12 janar. Njeriu i futur nga populli në kryeministri, kishte lëshuar ushtrimin e një përgjigje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.
Edhe këtë 15-vjetor, kryeministri Rama nuk i fsheh aspak rezervat që ka për drejtësinë e re, duke thënë hapur se SPAK u hoq sikur 21 janari nuk ekzistonte. Kryeministri kërkoi drejtësi dhe ndëshkim për ata që urdhëruan të hapej zjarr kundrejt protestuesve, duke e quajtur si krimin më të egër të demokracisë shqiptare.
“Fatkeqësisht, për vite me radhë, edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, me të cilat SPAKU merret drejtpërdrejt, ndërkohë që kur i është dashur, ka hetuar dhe ka ngritur akuza pa humbur asnjë vit apo ka konsumuar kohë dhe energji me vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës të shtetit në çështje të cilat janë aq të sforcuara sa mund të shkruhen romane satirike, jo vendime fajësie të formës së prerë”, tha Rama.
Për kryeministrin Rama SPAK po ecën me hapin e një breshke për zbardhjen e këtij krimi shtetëror, siç e ka vulosur edhe Strasburgu. Kryeministri ende po pret që SPAK të trokasë në dyert e GJKKO-së dhe të çojë në bankën e të akuzuarit urdhëruesit e vrasjeve. Rama theksoi se nuk ka drejtësi te re pa ndëshkimin e 21 janarit.
"Deri kur drejtësia e re s’do ketë bërë gjyqin e vërtetë të 21 janarit, do jetë drejtësi gjithnjë e më e vjetër. Drejtësinë për 21 janarin asnjë drejtësi e re apo e vjetër s’do ta mohojë dot pafundësisht. 21 janari si çështje e hapur është gropë e hapur në themelet e drejtësisë së re, gropë e hapur që vë në dyshim moralin e drejtësisë së re”, theksoi Rama.
Bashkë me familjarët e viktimave, Rama, zyrtarët më të lartë të PS dhe qytetarë të tjerë zhvilluan homazhe në Bulevard dhe vendosën lule në 4 pllakatat për 4 protestuesit e vrarë më 21 janar, për të cilët Rama tha se ende nuk po prehen dot në paqe.

Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika pas zhvillimit të homazheve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për viktimat e 21 jananit, ka mbërritur në SPAK ku ka kërkuar takim me prokurorin e çështjes Alfred Shehu për tu informuar mbi hecurinë e hetimeve.
Nika u shpreh se zëri në audion e dorëzuar prej tij në SPAK dhe e dërguar për ekspertizë jashtë vendi, është identifikuar, por nuk jep më tepër detaje.
“Do të takoj prokurorin për ta pyetur për ecurinë e hetimeve, jemi palë në procesin hetimor dhe janë të detyruar të na japin shpjegime. Nuk kemi informacion deri tani. Janë bërë ekspertimet, zëri është identifikuar i kujt është, janë sekrete hetimore. Kam kërkuar unë takim”, tha Mark Nika.
Xhaxhai i Aleks Nikës, i cili gjeti vdekjen nga plumbat që u lëshuan përpara kryeministrisë më 21 janar, kërkon drejtësi për nipin e tij, ashtu si dhe familjarët e 3 protestuesëve të tjerë.
Nika thotë se nuk kërkojmë hakmarrje, por vetëm drejtësi dhe barazi përpara ligjit. Xhaxhai i Aleksit, bën thirrje për të mos harruar të shkuarën dhe që fajtorët të mos i shmangen drejtësisë.
“Është koha për sqarim të plotë para opinioni publik dhe për veprime konkret nga institucionet, kam ardhur këtu për shpirtin e Aleksit, nipit tim. Shpresoj se ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë, ata na kanë premtuar se do të nda mbështesin në kërkesat tona të pareshtura për drejtësi. Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Kujtesa nuk duhet të zbehet dhe përgjegjësi nuk mund të harrohet. Kemi besim tek SPAK dhe Gjykata e Strasburgut për drejtësi”, tha Mark Nika.
Kryeministri Edi Rama i bën thirrje organeve kompetente për të vendosur drejtësinë në vend për 4 jetët e humbura nga plumbat që u lëshuan nga godina e kryeministrisë më 21 janar 2011. Rama thotë se për aq kohë sa drejtësia e re nuk ka bërë gjyqin e vërtetë për këtë masakër, ajo do të jetë akoma më e vjetër.
“Gjurmë të shumta janë humbur, ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve. Gjykata e Strasburgut i nënvizoi qartë si shkelje të Konventës Evropiane si përdorimin e forcës vdekjeprurëse, ashtu edhe mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e Kryeministrit me forcë vdekjeprurëse. Në rrjedhën e vendimit të Strasburgut, Gjykata e Lartë ka formuluar një ndër dokumentet më të plota, më të pakontestueshme profesionalisht dhe moralisht, dhe ka vënë faktikisht në lëvizje hetimet që kanë rinisur. Ndërkohë, shpresa vdes e fundit, ndërsa nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë, edhe kur vdes shpresa. Unë nuk e di dot se sa vite do të kërkojë fundi i padrejtësisë së 21 janarit për familjet tuaja, por di me siguri që ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë. Nevoja për drejtësinë e munguar do të triumfojë me sesbën.
Ndaj, me ju ndaj sinqerisht të vërtetën time, me përgjegjësinë ndaj jetëve të sakrifikuara, ndaj dëshmorëve tanë dhe me zotimin tonë për të bërë drejtësi: ne e kemi mbajtur me dinjitet atë përgjegjësi dhe nuk e kemi tradhtuar asesi zotimin solemn. Përderisa, duke pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik, duke ngritur SPAK-un dhe Gjykatën Speciale, kemi krijuar kushtet për fundin e pandëshkueshmërisë me ligj dhe jo me zakon. Ky është fakti. Dhe kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 janarin, të shkojë te stacioni i trenit, sepse në këtë godinë ka dalë bërthama e reformës në drejtësi, në godinën përballë është çelur ajo bërthamë dhe në godinën e Parlamentit është bekuar ajo farë.
Ky është një fakt që nuk luan topi. Askush nuk luan kundër topit. Dhe fakti është se deri kur drejtësia e re nuk do të ketë bërë gjyqin e vërtetë të 21 janarit, ajo do të jetë një drejtësi ende e vjetër. 21 janari, si çështje e hapur, është një gropë e hapur në themelet e drejtësisë së re. Është një gropë që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë, ashtu siç drejtësia për 21 janarin është themeli moral për drejtësinë e re dhe shtetin e së drejtës. Të tjerat, përpara 21 janarit, janë si hetimet dhe gjyqi i “kafesë së Nexhmies”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të PS, familjarët e viktimave të 21 janarit dhe qindra qytetarë u bënë pjesë e homazheve për 21 janarin në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Lule u vendosën mbi pllakatat e vendosura në nder të 4 protestuesve të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Shefi i qeverisë u pa gjatë homazheve në krah të Mark Nikës, xhaxhai i një prej protestuesve të vrarë, si edhe me djalin e Faik Myrtajt apo vëllezërit e Hekuran Dedës.
Gjatë konferencës përpara familjarëve të viktimave të 21 Janarit, kryeministri Rama tha se kjo ditë hyn te kategoria e krimeve shtetërore. Ai tha se këto të fundit nuk mbeten të pandëshkuara, por kritikoi SPAK-un që vonoi të merrej me çështjen. Madje, sipas kryeministrit, SPAK u soll sikur dosja e 21 Janarit nuk ekzistonte.
“Sot mbajnë me taksat e shqiptarëve më shumë të paraburgosur, njerëz të plasur nëpër qeli pa gjyq sesa njerëz të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë. Një pjesë e madhe të paraburgosurve janë viktima të karshillëkut të hatashëm ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut nga ana e prokurorëve të çdo niveli dhe gjykatësve që shpesh i venë nga mbrapa si delja dashit. Një panoramë e trishtë e një drejtësie të dhunuar, ku 21 Janari është ana tjetër e medaljes, ajo e drejtësisë së vonuar. Me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë në muajt e fundit pas thuajse 15 vjetësh se 15 vjet bëhen sot. Unë e kam ditur dhe e kam thënë në shumë kronika e intervista se 21 Janari si një krim shtetëror hyn te ajo kategori krimesh që drejtësia na mëson se vonon shumë, por nuk harron kurrë. Është shumë interesante historia e krimeve shtetërore sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar, por nga ana tjetër është shumë evidente në kanalet e asaj historie se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror.
Edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike për krimet shtetërore, nuk e kam menduar të them të vërtetën që reforma në drejtësi që 21 Janari si nevojë prioritare e jona për drejtësisë ka qenë një prej burimeve të energjisë sonë për ta çuar përpara atë reformë dhe pastaj strukturat e reja speciale, krejtësisht të pavarura që u krijuan në kuadrin e reformës në drejtësi nuk do të ngrinin asnjë akuzë të vërtetë për 21 Janarin as pas 15 vjetësh nga vrasjet mizore në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Fatkeqësisht, për vite me radhë, edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, me të cilat SPAKU merret drejtpërdrejt, ndërkohë që kur i është dashur, ka hetuar dhe ka ngritur akuza pa humbur asnjë vit apo ka konsumuar kohë dhe energji me vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës të shtetit në çështje të cilat janë aq të sforcuara sa mund të shkruhen romane satirike, jo vendime fajësie të formës së prerë”, tha Rama.
15 vite pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe. Kështu u shpreh kryeministri Rama në takimin me familjarët e viktimave të 21 janarit, ku shprehu kritika edhe për drejtësinë e re, për të cilën tha se duhej t’i kishte kërkuar GJKKO drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit.
“Zoti e di me çfarë guri në zemër unë vi për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që me tregon përmes një sëkëlldie, se sa më i madh bëhet çdo 21 janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë, hidhërimi juaj, pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi janë 15 vite të një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e jetuar në ankth dhe poshtërim. Atyre ndër ju që ishin gjyshër u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër, atyre që ishin fëmijë u ka ardhur koha për tu bërë prindër, ndërsa atyre 4 pjesëve të shpirtit tuaj që u janë tretur trupat në dhe nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë, nuk kanë mjaftuar gjer më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi 21 janarin. S’ka mjaftuar as vendimi i Strasburgut më shumë se sa dy vite më parë që prokurorët e SPAK t’ia kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit, ndërkohë që në emër të drejtësisë, drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vitesh në u bëmë atyre veç duvara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin në durim dhe në heshtje nga na jonë të gabimeve të tyre tejet shqetësuese të një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës. Drejtësia për 21 janarin të vihet në vend”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka risjellë dhe njëherë në kujtesë sesi protesta e 21 janarit e opozitës së kohës, nisi e qetë dhe më pas u provokua nga policia e deri tek fundi fatal me 4 viktima përpara kryeministrisë nga plumbat që u lëshuan nga shteti mbi protestuesit.
Ndonëse nuk e përmedi me emër, Rama iu referua kryeministrit të kohës, Sali Berisha, si personi që u tregoi shqiptarëve që të vriste me të vërtetë.
“15 vjet më parë, këtu, në këtë godinë, ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, një përzierje e trupës së rregullt të Gardës së Republikës dhe çetës së paramilitantëve famëkeq të Kryeministrisë. Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, të shtrira gjithandej pas atij gardhi të shëmtuar dhe hekurave që e rrethonin që pas sulmit të armatosur të 14 shtatorit ’98, sepse kishte edhe të barrikaduar më 21 janar. Njeriu i futur nga populli në Kryeministri kishte lëshuar ushtrimin e një përgjigjeje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.
Kujtoj se, së bashku me Pandeli Majkon dhe disa shokë të tjerë, po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, përpara godinës. Një autoblindë u shfaq në horizont dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta, duke na zmbrapsur nga Parku Rinia dhe duke shkaktuar rrëmujë nga ajo mësymje qorre, e duke e kthyer protestën në një lëmsh kaotik mes protestuesve. Duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë, protesta doli jashtë kontrollit. Por, përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe vatrave të zjarrit të ndezura nën ndonjë makinë apo mbi faqet e Piramidës, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcenin gardhin e godinës së Kryeministrisë.
Përveç një veture që hyri në portën anësore të hekurit, e hapur çuditërisht nga brenda, si një ftesë për kurth, askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e sigurisë. Asnjë material filmik nuk nxori askund në pah praninë e ndonjë arme në radhët e protestuesve, ndërkohë që mijëra fishekë ushtarakë u lëshuan mbi ta. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror”, Tha Rama.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për masakrën e 21 Janarit në 2011-ën.
Braçe shprehet se edhe pse kanë kaluar 15 vite nga kjo ngjarje e rëndë ende nuk ka asnjë fajtor për pushkatimet e shtetit.
Postimi i plotë
Dita e gjakut në politikë
Gjaku nuk është ujë,
Gjaku nuk bëhet ujë,
Gjaku duhet të bëhet drejtësi!
Fuqia e nje populli që nuk u hakmor kurrë,
Por që nuk u bë drejtësi!
Në foto:
1. 21 janar 2011, mesditë në bulevard;
2. 22 janar 2011, një ditë më pas, në dijeni të pushkatimeve nga shteti;
3. 27 janar 2011, një javë më pas, në dijeni të vrasësve dhe pengimit të arrestimit të tyre.
15 vite me radhë, asnjë fajtor për pushkatimet e shtetit, asnjë i dënuar, asnjë në burg në vuajtje të dënimit prej drejtësisë!

Edi Rama dhe foto nga 21 Janari 2011
Sot shënohen 15-vite nga protesta e 21 janarit të vitit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues para Kryeministrisë, mes tyre Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, thotë se 4 të vrarët ende nuk po prehen dot në paqe, ndërsa gishtin e drejton nga drejtësia, që siç shkruan ai “i ngjan një breshke që lutet për harresë”.
“Mirëmëngjes dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Ngjarja e '21 Janarit' vijon të mbetet një nga episodet më të rënda në historinë e tranzicionit shqiptar, ndërsa procesi i drejtësisë për këtë çështje ka qenë objekt debatesh të vazhdueshme politike dhe institucionale.
Komente












