Ura mbi lumin Mat, në rrugën nacionale Lezhë-Milot, vijon të jetë e mbyllur. Ndërhyrja emergjente, e nisur prej muajit tetor dhe që ishte planifikuar të përfundonte brenda vitit 2025, ende nuk ka përfunduar.

Shkak janë bërë prurjet e shumta të lumit Mat pas reshjeve të shiut të fillim janarit, duke vështirësuar punën dhe duke ridëmtuar sërish dy prej këmbëve të urës.Banorë të zonës dhe drejtues mjetesh thonë se mbyllja e urës u ka sjellë vështirësi të shumta në lëvizje, duke e konsideruar të papranueshme situatën e krijuar prej 6 muajsh.

“Ura është bllokuar totalisht, ne nuk kemi shtet. Këtu është dëmtuar rruga komplet”; “Është një shqetësim duhet të bëj rrugën rreth e qark për të ardhur”; “Ky problem ka që prej gjashtë muajsh”, u shprehën disa qytetarë.

Për shkak të dëmtimeve të shumta, gjatë sezonit veror Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi bllokimin e qarkullimit në këtë urë, e cila i shërben veriut të vendit. Për rikonstruksionin dhe përforcimin e saj u akordua një fond emergjent me vlerë 107 milionë lekë.

Aktualisht janë kryer rreth 80% e punimeve për përforcimin e saj, por ende nuk ka një afat se kur mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.Ura mbi lumin Mat është ndërtuar në vitin 1982 dhe ka një gjatësi prej 844 metrash, duke u konsideruar një prej urave më të gjata në vendin tonë.