15 vjet forca komando, 75 trupa
të batalionit special në Afganistan

15 vjet forca komando, 75 trupa<br />të batalionit special në Afganistan
TIRANË - Paraditen e sotme, në ambientet e garnizonit të Zall-Herrit u kremtua 15-vjetori i krijimit të batalionit të Forcave Speciale. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm: ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, zv.ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, zëvendësambasadori i SHBA në Tiranë, Henry Jardine, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të Forcave të Armatosura.

Fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti komandanti i batalionit të Forcave Speciale, kolonel Dritan Demiraj. Më pas, të pranishmit i përshëndeti ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli: “Unë besoj se në këtë ditë të veçantë duhet të bashkohemi në falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë brezat, që me punën dhe sakrificat e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar për ta kthyer batalionin e Forcave Speciale në repartin pararojë, që zotëron përgatitjen dhe kapacitetet e nevojshme për të kryer një spektër të gjerë të operacioneve brenda dhe jashtë vendit” – ka nënvizuar ministrja Kodheli.

Me këtë rast, ajo ka vlerësuar Forcat e Armatosura Turke për mbështetjen që kanë dhënë për ngritjen dhe fuqizimin e këtij batalioni, si dhe mbështetjen bujare që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet instruktorëve të Forcave Speciale në fushën e trajnimit të shtabit të batalionit, por edhe të trupave, me stërvitjet paradislokuese. “Ne i jemi mirënjohës SHBA për mbështetjen e gjithanshme që ata u japin kontingjenteve tona, në veçanti kontingjenteve “Eagle” të batalionit të Forcave Speciale, në përmbushjen me sukses të misionit në operacionin ISAF në Afganistan”, - shtoi Kodheli.

Në vijim të fjalës së saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli tha: “Vlerësimi dhe mirënjohja iu drejtohet sot të gjithë atyre djemve dhe vajzave të këtij reparti që prej më shumë se 10 vjetësh janë rreshtuar përkrah aleatëve të vendit tonë, të barabartë midis të barabartëve, për të shërbyer në shumë rajone të botës, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Irak, Afganistan, Çad dhe kudo ku paqja dhe stabiliteti kanë qenë në rrezik. Imazhi që këto forca kanë përcjellë kudo ku kanë shërbyer dhe kanë mbajtur gjithë krenari flamurin tonë kombëtar, ka qenë imazhi i shpresës dhe paqes”.

Më tej, Kodheli duke nënvizuar përkushtimin ndaj detyrës që kanë manifestuar efektivat e këtij batalioni, është ndalur dhe ka kujtuar aktin heroik të kapiten Feti Voglit. “Në këtë 15-vjetor, ne kujtojmë me nderim të thellë veprën e “Dëshmorit të Atdheut”, kapiten Feti Vogli, i cili nuk kurseu as jetën e tij të re për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin afgan, të cilët çdo ditë jetojnë nën terrorin e ekstremistëve dhe terroristëve, por edhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne” - është shprehur ministrja Kodheli.

Në fund të fjalës së saj, ministrja Kodheli, duke iu drejtuar edhe njëherë efektivit të batalionit të Forcave Speciale, theksoi: “Shpreh besimin e plotë se ju nuk do të stepeni para vështirësive, por do të vazhdoni me vendosmëri në rrugën pa kthim, për të përfaqësuar denjësisht Forcat e Armatosura dhe Atdheun tonë si një vlerë të shtuar në Aleancë”.  

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi i ka akorduar batalionit të Forcave Speciale medaljen “Repart i Shquar” me këtë motivacion: “Për realizimin me sukses dhe përgjegjësi të lartë të detyrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe për përmbushjen me sukses të misioneve luftarake në Afganistan”.

Gjatë kësaj ceremonie, ministrja e Mbrojtjes Kodheli është takuar me familjarët e Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, të cilët morën pjesë në përvjetorin e krijimit të batalionit të Forcave Speciale. Aktualisht në Afganistan jane me mision 75 efektivë të këtij batalioni.

Më pas, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe të pranishmit e tjerë në këtë aktivitet vizituan muzeun e batalionit të Forcave Speciale, ndërsa më pas ndoqën nga afër disa demonstrime stërvitore që zhvilluan trupat e këtij batalioni, të shoqëruara edhe me mjete të blinduara dhe helikopterë të Bazës Ajrore në Farkë.

Batalioni i Forcave Speciale është krijuar me urdhër të Këshillit të Mbrojtjes Nr.2, datë 16 tetor 1998, ndërsa aktiviteti i shtabit të këtij reparti ka filluar në shkurt 1999 me katër Grupe Speciale. Batalioni i Forcave Speciale është njësia më speciale e FA shqiptare me qëllim realizimin e detyrave më të komplikuara, më të vështira dhe më të rrezikshme që mund t’i ngarkohen një njësie operacionale, ku përfshihen operacione speciale nga toka, ajri dhe deti.

Kjo strukturë aktualisht është në vartësi të Forcës Tokësore dhe e riorganizuar me një strukturë bashkëkohore të njëjtë me ato të NATO. Prej më shumë se 10 vjetësh Forcat Speciale vazhdojnë të japin një kontribut mjaft të çmuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vende të ndryshme të botës, duke u rreshtuar përkrah trupave të NATO dhe forcave të tjera aleate.

Gjatë kësaj periudhe kontributi i batalionit të Forcave Speciale në misionet paqeruajtëse dhe luftarake ka qenë: në Bosnje dhe Hercegovinë me 2 kontingjente; në Irak me 13 kontingjente; në Çad me 1 kontingjent; në Afganistan me 4 kontingjente dhe në Kandahar të Afganistanit me 7 kontingjente luftimi, ku është përfshirë një personel prej 350 forcash, të cilët me profesionalizëm e devotshmëri kanë shërbyer me nder dhe krenari së bashku me aleatët tanë.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë