Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë goditur disa raste të kontrabandës në kufi, duke arrestuar, ndaluar apo hetuar penalisht gjithsej 8 shtetas.

Rasti më flagrant është ai i një 46-vjeçari nga Shënkolli i Lezhës, i cili pasi kishte kryer regjistrimin në sistemin TIMS në hyrje të doganës, është larguar pa kryer procedurat doganore për një sasi prej 1.506 kg (1.6 ton) mjaltë, e dyshuar kontrabandë. E gjithë sasia e mjaltit u sekuestrua nga policia në cilësinë e provës materiale.

Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu edhe një sasi të konsiderueshme vaj ulliri kontrabandë nga Greqia, e cila u gjet në automjetin e shtetasit I. L., 35 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë. Ndërkohë, E. M., banues në Korçë dhe me detyrë doganier pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, dyshohet se nuk ka ushtruar kontrollin përkatës në automjet, ndaj është vënë nën hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po në Kapshticë, Policia Kufitare ndaloi edhe dy persona të shpallur në kërkim: një 26-vjeçar nga Elbasani, i dënuar me 9 muaj burg për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, nga të cilët i kishin mbetur për të vuajtur edhe 2 muaj e 11 ditë, si dhe një 33-vjeçar nga Pogradeci, ndaj të cilit Gjykata e Korçës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shitje narkotikësh.

Gjithashtu, Policia Kufitare po heton tre shtetas të tjerë, të moshave 46, 46 dhe 55 vjeç, banues në Maliq, Pogradec dhe Peshkopi, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, pasi dyshohet se kanë hyrë nga Greqia në Shqipëri në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i plotë i policisë


"Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi.

Arrestohen, ndalohen dhe procedohen penalisht 8 shtetas (nga të cilët 2 shtetas  u ndaluan pasi ishin të shpallur në kërkim,  1 u arrestua për kontrabandë me mallra dhe 5 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë, për vepra të ndryshme penale).

Në kuadër të kontrolleve dhe intervistimeve të thelluara nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në PKK Kapshticë, u ndaluan shtetasit në kërkim:

E. Rr., 26 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e ka dënuar me 9 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 muaj e 11 ditë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

E. E., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në vijim të kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, kanë goditur 2 raste të kontrabandës me mallra, konkretisht:

u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë, i cili pas paraqitjes në hyrje të PKK Kapshticë, ka kryer procedurat e regjistrimit në sistemin TIMS dhe është larguar pa kryer procedurat e mëtejshme doganore për një sasi prej 1506 kg mjaltë, të dyshuar kontrabandë, të cilën e kishte në automjetin që drejtonte. Sasia e mjaltit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;

u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

I. L., 35 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;

E. M., 35 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier pranë PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, u konstatua automjeti me drejtues shtetasin I. L., dhe nga kontrolli i të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme vaj ulliri pa dokumentacionin përkatës, dyshohet së është kontrabanduar nga Greqia, ku u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se doganieri E. M. ka shpërdoruar detyrën, pasi nuk ka ushtruar kontroll në automjetin e shtetasit I. L.

Gjithashtu, shërbimet e DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasit:

F. Xh., 46 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq;

V. R., 46 vjeç, banues në Pogradec;

B. Xh., 55 vjeç, banues në fshatin Sohodoll, Peshkopi,
pasi dyshohet se kanë kaluar kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme."