Partia Demokratike mbledh pasditen e sotme, në orën 18:00, Këshillin Kombëtar ku në rend dite është zgjedhja e ekipit në ndihmë të kryetarit.

Dy muaj pas rizgjedhjes pa garë të Sali Berishës, synohet të vijojë e njëjta gjë edhe me kupolën drejtuese.

Në votimet e Këshillit Kombëtar, pritet të mos ketë ndryshime për numrin 2 të partisë, Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, rivali i të cilit nuk dihet ende. Kjo e bën të pamundur që anëtarët e Këshillit Kombëtar të kenë mundësi të njihen me profilin e këtij të fundit duke mos pasur as mundësinë e fushatës.

Rikonfirmim pritet të ketë edhe për kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhin dhe nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkajn.

Nënkryetarët e Sekretariatet do të pësojnë ndryshime të vogla. Te të parët, kandidon Luçiano Boçi dhe pritet të shtohen edhe Belind Këlliçi e Klevis Balliu. Oerd Bylykbashi nuk do të rikandidojë për nënkryetar, por pritet që Beirsha të fusë në listën e kandidatëve, të renë nga diaspora, Erisa Bajaziti.

Ivi Kaso, i cili për 12 vite ka shërbyer si drejtues i Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike, ka njoftuar më herët se nuk do të kandidojë sërish për shkak të angazhimeve që ai ka si deputet, anëtar i Kryesisë së PD dhe nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin, Mbikëqyrjen Institucionale.