Bizneset shqiptare duhet të nisin të familjarizohen me sistemin europian të transitit dhe ndryshimet që sjell procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Mesazhi u dha nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, gjatë takimit vjetor konsultativ mes Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) dhe administratës doganore.

Takimi, që tashmë është kthyer në një traditë bashkëpunimi mes dy institucioneve, shërbeu për të diskutuar problematikat e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe sfidat që hasen në marrëdhëniet me administratën doganore.

Gjatë fjalës së tij, Beja informoi përfaqësuesit e biznesit mbi ecurinë e procesit të përafrimit të legjislacionit doganor shqiptar me standardet dhe acquis të Bashkimit Europian, si dhe për investimet që po kryhen në modernizimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

Një nga çështjet ku ai u ndal ishte zbatimi i sistemit të transitit, për të cilin tha se bizneset duhet të përshtaten gradualisht, pasi ai reflekton mënyrën se si funksionojnë procedurat doganore në të gjithë Bashkimin Europian.

Doganat kanë një rol shumë të rëndësishëm, pasi ne do të jemi një portë hyrëse drejt Bashkimit Europian dhe mënyra se si funksionojmë tregon mënyrën se si vendi po integrohet në tregun europian”, tha Beja.

Vëmendje të veçantë në takim morën edhe ndryshimet që lidhen me funksionimin e Tregut Unik Europian dhe ndikimi që ato pritet të kenë në aktivitetin tregtar në vitet e ardhshme. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu përfitimet e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), i konsideruar si një instrument i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë, rritjen e sigurisë së zinxhirit të furnizimit dhe forcimin e besueshmërisë së operatorëve ekonomikë.

Drejtori Ekzekutiv i AmCham, Neritan Mullaj, vlerësoi bashkëpunimin me administratën doganore, duke theksuar se dialogu i vazhdueshëm ka ndihmuar në adresimin e problematikave të ngritura nga biznesi.

“Kemi një marrëdhënie bashkëpunimi prej vitesh dhe mund të them se ka qenë shumë efektive, pasi gjatë viteve kemi ngritur çështje të ndryshme dhe kemi gjetur vazhdimisht gatishmëri nga administrata jo vetëm për t’u përgjigjur, por edhe për të ofruar zgjidhje”, u shpreh Mullaj.

Nga ana e saj, kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave në AmCham, Alketa Uruçi, e cilësoi Doganën si një model funksional të administratës publike dhe vlerësoi dialogun si mjetin më efikas për zgjidhjen e problematikave të biznesit.

Diskutimet e mëtejshme në këtë takim u fokusuan në gjetjen e zgjidhjeve praktike për përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e transparencës në procedurat doganore dhe forcimin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.