160 mijë euro për të çuar
thesaret tona në Romë

160 mijë euro për të çuar<br />thesaret tona në Romë
TIRANE - Ekspozita “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, organizuar në sallën “Vittorianon” të Romës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka kushtuar plot 160 mijë euro plus shpenzime, të cila deri tani janë të panjohura, por të paguara nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës së Shqipërisë.

MTKRS e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Romë organizuan një ekspozitë që i kushtoi buxhetit të kulturës një shifër jo të vogël, ndërkohë që monumentet e trashëgimisë kulturore janë lënë nën mëshirën e fatit.

A duhet shteti shqiptar të paguajë për një ekspozitë, e cila në çdo vend të botës shteti pritës e mundëson falas në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit? Sigurisht që promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare është një nga detyrat parësore të Ministrisë së Kulturës.

Ekspozimi i thesareve të kulturës sonë në një qendër të kulturës botërore si Roma është një ngjarje e shënuar. Megjithatë, a kemi luksin ne kur monumentet tona të trashëgimisë janë drejt rrënimit total të harxhojmë shuma të tilla? Opinioni shqiptar ishte dëshmitar i debatit publik mbi shkatërrimin e Afreskeve të Onufrit.

Ish-ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi pranoi publikisht se Ministria e Kulturës nuk kishte asnjë fond për të paguar pagat modeste të ish rojtareve të dikurshëm të Monumenteve. E ndërkohë që ky debat bëhej publik dhe Ministria e Kulturës pranonte falimentimin në mbrojtjen e Trashëgimisë, ish-Ministri Bumçi paguante një firmë private italiane për qiranë e sallës dhe organizimin e këtij evenimenti.

140 mijë euro të paguara nga ministria jonë e Kulturës për këtë sallë, plus 20 mijë euro siguracionet plus shpenzimet e zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie për udhëtimet në Itali, janë të barasvlershme me restaurimet e një sërë kishave, siteve arkeologjike apo me pagën disavjeçare të sistemit të rojtarëve të moumumneteve, sistem i cili u hoq në vitin 2006.

Thesaret e Kulturës shqiptare mund të ekspozohen në çdo Muze të rëndësishëm Botëror pa asnjë pagesë, pasi marrëveshjet ndërshtetërore apo edhe me Muze private të krijojnë kushte ekspozimi falas. Fundi i fundit kjo është edhe zotësia e atyre që menaxhojnë Kulturën Shqiptare.

Po kështu përfshirja e ish-Ambasadorit Llesh Kola në hapjen e kësaj ekspozite duhet të bënte të mundur që në emër të Shtetit Shqiptar të krijonte kushte që salla e ekspozitës të mos i kushtonte asgjë taksapaguesve tanë.

Por çuditërisht MTKRS paguan 160 mijë euro të provuara me faturat përkatëse duke hedhur dyshime të forta mbi qëllimin e vërtetë të këtyre pagesave në emër të kompanive private italiane. Shpresojmë se Ministri jonë i Jashtëm do të ketë detyrimin ligjor dhe moral të shpjegojë arsyen e këtyre pagesave, të cilat duken se janë bërë jashtë çdo logjike normale.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 07.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset