Bizneset amerikane janë të shqetësuara për tensionet dhe aktet e dhunës në protestat e tetorit. Në një deklaratë Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri thotë se anëtarët ngrenë shqetësime serioze për situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit.
“Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë u bën thirrje të gjithë aktorëve të veprojnë në mënyrë konstruktive, pasi pas çdo biznesi të dëmtuar ka punonjës dhe familje.
“Shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës”, vijon deklarata.
Dhoma thekson se qeveria së bashku me të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në dialog për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë situatës aktuale.
“Të gjithë aktorët, kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime të mund të adresohen në përputhje me mekanizmat demokratikë”, thotë Dhoma Amerikane.
Vetëm nga biznesi i vogël, kioskat e shkatërruara dhe dyqane të plaçkitura, sipërmarrje familjare, deri tani është konstatuar një dëm prej rreth 18 mln lekësh të reja (200 mijë euro), nga 90 subjekte që kanë raportuan në portalin “Dëmi im”, në e-Albania.
Ndërkohë që kanë rënë pre e akteve të dhunës 45 filialeve bankare edhe 53 bankomate, duke shkaktuar dëme edhe për këto biznese, pavarësisht se nuk preken kursimet apo paratë e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare.











Komente
Komento