1,737 individë dhe familje në Tiranë janë përfshirë në listën e re të përfituesve të kredive të buta për blerjen e një banese. Lista është miratuar nga Këshilli Bashkiak gjatë mbledhjes së fundit, ndërsa qytetarët e përzgjedhur mund të vijojnë procedurat për marrjen e kredisë me interes 3%.
Përfituesit do të kenë mundësi të blejnë një banesë përmes një kredie bankare, ku një pjesë e interesave mbulohet nga shteti. Kjo u mundëson atyre të paguajnë këste mujore më të ulëta krahasuar me kreditë me normat e zakonshme të interesit.
Pas miratimit të listës, qytetarët duhet t'u drejtohen bankave të nivelit të dytë që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, për të vijuar me procedurat e financimit.
Megjithatë, përfshirja në listën e fituesve nuk nënkupton marrjen automatike të kredisë. Bankat do të bëjnë vlerësimin e aplikuesve sipas kritereve të tyre, ndërsa shuma që mund të përfitojë secili do të varet nga numri i anëtarëve të familjes dhe kushtet e tjera të programit.
Kreditë e buta janë pjesë e programit të strehimit që Bashkia e Tiranës zbaton prej disa vitesh. Nisma është ndërmarrë në fillim të drejtimit të bashkisë nga Erion Veliaj, për t'u ardhur në ndihmë familjeve që e kanë të vështirë të blejnë një shtëpi me kushtet e zakonshme të tregut.
Miratimi i përfituesve të rinj vjen në një kohë kur çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, duke e bërë blerjen e një banese më të vështirë, veçanërisht për çiftet e reja dhe familjet me të ardhura të ulëta apo mesatare.
Kliko këtu per të lexuar listën e përfituesve










Komente
Komento