"18 muaj në dhomë me Azemin"

TIRANE (9/16/2001) Marian Gryka, njëri nga njerëzit më të afërt të Azem Hajdarit, në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare" rrëfen të gjitha peripecitë e mikut dhe ish-shefit të tij në vitetpara se të vritej. Si ka "fjetur" për 18 muaj rresht në të njëjtën dhomë me Azemin në shtëpinë e tij... Gjithashtu ai shpjegon në një intervistë të gjatë marrëdhëniet e ngrira mes shoqatës "Azem Hajdari" që ai drejton, dhe PD-së; Zbardh njëkohësisht enigmat e "flakjes" së Fatmira Hajdarit; përse ajo nuk u propozua për t'u bërë deputete dhe përse Partia Demokratike aktuale nuk është më ajo e para. Ju njiheni si njeriu që pikërisht në ditët më të vështira i keni qëndruar pranë Azem Hajdarit... Deri kur u arrestova për herë të fundit dhe u dënova me arrest shtëpie (pra isha i detyruar të rrija në Shkodër), kam kaluar me Azemin të gjitha momentet më të vështira: çdo atentat, çdo problem që i krijohej nga struktura të ndyshme. Kemi ndenjur bashkë për një vit e gjysmë në një dhomë, ku zakonisht, pas bisedave të gjata, Azemi ulej në tryezën e tij dhe shkruante në ditarin e vet...Pengu më i madh i jetës sime është se nuk iu gjenda pranë më 12 shtator. Ndoshta jo rastësisht ruhesha me policë në shtëpinë time në Shkodër. Tashmë bashkëshortja e themeluesit të PD-së, Fatmira Hajdari, është pronocuar hapur për degradimin e Partisë Demokratike. Ju si një njeri që i keni qëndruar mjaft afër Azem Hajdarit, mendoni se edhe vetë ai ka pasur divergjenca të forta me njerëzit që udhëhiqnin PD-në? Thyerja e parë mes Partisë Demokratike dhe Azemit ka nisur në periudhën e sindikatave në vitin 1996. Kanë qenë gjyqet pa fund kundër Valer Xhekës, i cili jo vetëm kishte uzurpuar lëvizjen punëtore në Shqipëri, por i kishte shndërruar sindikatat në shërbëtore të partisë në fuqi. Të gjitha këto gjyqe u humbëm, sepse gjykatësit që dhanë vendimet, ishin ata që në zgjedhjet e fundit kanë kandiduar për BF-në. Si u godit konkretisht Azemi nga partia e tij në këtë periudhë? Klanet brenda PD-së, duke parë se Azemi ishte i papërballueshëm, e shkarkuan nga të gjitha funksionet, duke i hequr dhe mandatin në fund të '96-s. Azem Hajdari, përveç atentatit spontan që pati në Parlament nga Gafur Mazreku dhe ai i organizuar më së miri më pas në 12 shtator të vitit 1998, ka pasur rreziqe të tjera të këtij lloji? Kemi kaluar plot prita dhe atentate nga më të ndryshmet. Atentat s'quhet vetëm vrasja, ajo ishte e fundit. Atentatet kanë filluar që me daljen nëpër rrugë të personave të armatosur, bllokimit të herëpashershëm të makinave. Në Mat dhe në Lushnje kemi shpërthyer vetë dyert për të bërë mbledhje. Na kanë zënë rrugën maska jo nga ato që grabisin. Nuk bëhet fjalë pastaj për rastet e shumta kur na survejonin dhe na ndiqnin persona që gjithmonë kanë pasur qëllim asgjësimin e Azem Hajdarit. Përse mendoni se Azem Hajdari ka qenë i sulmuar sistematikisht nga klane brenda Partisë Demokratike? Sepse ai gjithmonë ka guxuar të thotë të vërtetën. Gjithmonë klanet brenda PD-së kur thua të drejtën, të quajnë ose tradhtar, ose i Sigurimit. Tani kanë shtuar edhe tjetrën: "është i Pollos". Ju mendoni se aktualisht brenda PD-së ka njerëz që me qëllim nuk e duan të fortë këtë parti ashtu si ka qenë? Disa anëtarë të shoqatës së Enverit, njerëz të ish-Sigurimit të Shtetit filluan t'u vënë njolla intelektualëve, djemve të rinj, përkrahësve të Azem Hajdarit, për t'i distancuar nga PD-ja. Po t'i lexosh me vëmendje RD-të e viteve të kaluara shikon shumë figura politike që akuzohen nga kjo gazetë si atentatorë të Azem Hajdarit, qoftë edhe para vrasjes. Këta njerëz jo vetëm që u thirrën më vonë në PD, por edhe pijnë kafe me krerët e saj... në "Rogner". Kjo tregon se Azem Hajdari po harrohet dhe pyetja juaj nuk ka nevojë për më shumë shpjegime. Përflitet shumë për ideatorët dhe motivin e vërtetë të vrasjes së Azem Hajdarit... Për sa i takon vrasjes së Azem Hajdarit, unë personalisht them që një njeri politik, me një hapësirë të madhe politike dhe reputacion si i tij po përplasej në atë kohë me të dyja palët e politikës. Eshtë fakt që shumë njerëz të këtyre krahëve politikë nuk e donin. Si e komentoni mosvënien si kandidate për deputete të Fatmira Hajdarit nga ana PD-së, ndërkohë që këtë gjë e arritën shumë persona që s'kanë as gjysmën e meritave të saj? Jam i pari që i kam kërkuar Berishës, që Fatmira të jetë deputete. Kur Fatmira deklaroi se do të kandidojë, atyre njerëzve që e kishin luftuar politikisht Azem Hajdarin, jo vetëm që s'u erdhi mirë, por e bënë fakt të parealizueshëm. Pra e vërtetua edhe një herë se në PD ka privatizim. Fatmirën s'e duan, se flet drejt si Azemi. Eshtë turpi i tyre që ajo nuk është deputete. Kundërvënien që një grup militantësh në cermoninë e 3-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit i bënë Fatmira Hajdarit e cilësoni si vijim të së njëjtës strategji? Po, kështu është. Më 12 shtator kur ka marrë fjalën te Pallati i Kulturës, Fatmira, ata u çuan duke thërritur: "Poshtë Meta", d.m.th. gjasme të irituar ndaj faktit pse ajo kishte pranuar Metën në shtëpi. Vajtja e Ilir Metës në familjen Hajdari është krejt normale, se kryeministri ishte shok dhe mik i Azem Hajdarit. Dhe këtë më shumë nga kurrkush e di unë. Pastaj ai është edhe "Pishtar i Demokracisë" i dekoruar nga vetë Berisha. Pastaj unë mund të shtoj edhe diçka tjetër: kush e ka privatizuar PD-në, s'mund të privatizojë edhe shtëpinë e Hajdarit. Ju aktualisht jeni kryetar i shoqatës "Azem Hajdari", cilat janë marrëdhëniet e kësaj shoqate me PD-në? Pas vrasjes së Azemit, u krijua shoqata e cila u ideua njëkohësisht si krah i Partisë Demokratike, por jo vetëm që nuk u përkrahëm asnjëherë nga PD-ja, përkundrazi u akuzuam më pas se jemi krah i Genc Pollos dhe se duam të rrëzojmë Berishën. Kohë më parë u dha urdhër që gazeta e kësaj partie, RD, të mos shkruant më për shoqatën. Ajo nuk ka shkruar as për arrestimet e disa kryetarëve të kësaj shoqate nëpër rrethe të ndryshme (Shijak, Lezhë, Sarandë...), as për bastisjet në shtëpitë e tyre. Urdhrat për të mos shkruar kanë dalë nga klanet brenda PD-së. Më vonë në këtë gazetë filluan të zmadhohen reklamat greke dhe të zvogëlohet fotoja e Azem Hajdarit. Disa figura brenda PD-së rrezik nuk e dinë as se ku gjendet varri i Hajdarit. Edhe memorialet i ka bërë shoqata.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

 Rusia dënon gazetaren e dytë amerikane në një proces gjyqësor sekret