Një adoleshent që ishte plagosur në zjarrin shkatërrues në një disko në resortin zviceran të skive Crans-Montana ka vdekur në spital, duke rritur në 41 numrin e viktimave nga kjo tragjedi.
Prokurorja publike e kantonit Wallis, Beatrice Pilloud, njoftoi të dielën se “një shtetas zviceran 18-vjeçar ka ndërruar jetë në një spital në Zyrih më 31 janar”. Kwsisoj, numri i viktimave nga zjarri në diskon “Le Constellation”, i ndodhur më 1 janar 2026, ka arritur tashmë në 41.
Viktimat e tragjedisë ishin nga mosha 14 deri në 39 vjeç, ndërsa shumica ishin adoleshentë. Vetëm katër prej tyre ishin mbi moshën 24 vjeç. Përveç të vdekurve, 115 persona të tjerë u plagosën, shumica e të cilëve vazhdojnë të trajtohen në spitale të ndryshme.
Mes viktimave janë 23 shtetas zviceranë, përfshirë një person me shtetësi të dyfishtë franko-zvicerane, si dhe 18 shtetas të huaj.
Tetë prej tyre ishin francezë, përfshirë një vajzë me shtetësi franceze, britanike dhe izraelite; gjashtë ishin adoleshentë italianë, mes tyre një me shtetësi italiane dhe emirate; si dhe nga një shtetas belg, portugez, rumun dhe turk.
Sipas hetimeve paraprake të prokurorisë, zjarri dyshohet se ka nisur kur festuesit ngritën shishe shampanje me fishekzjarre të vogla të vendosura mbi to, shumë pranë materialit izolues të tavanit në bodrumin e lokalit.
Nën hetim penal janë katër persona: dy bashkëpronarët e barit, përgjegjësi për sigurinë publike në komunën e Crans Montanws dhe një ish zyrtar për sigurinë nga zjarri.
Pas shpërthimit të zjarrit, të plagosurit më rëndë u transportuan me helikopter drejt spitaleve dhe njësive të specializuara për djegie në Zvicër dhe në katër vende të tjera europiane.
Zyra Federale Zvicerane për Mbrojtje Civile njoftoi se deri të hënën, 44 pacientë po trajtoheshin jashtë vendit: 18 në Francë, 12 në Itali, tetë në Gjermani dhe gjashtë në Belgjikë.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e kantonit Wallis bëri të ditur se 37 pacientë vazhdojnë të trajtohen në spitale brenda Zvicrës.
Autoritetet theksojnë se situata mbetet dinamike, pasi pacientët po transferohen mes spitaleve për faza të ndryshme të trajtimit, disa janë rikthyer për mjekim shtesë dhe disa të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje kritike në kujdes intensiv.
Komente








