Pas ngadalësimit të shënuar në qershor, turizmi iu rikthye ritmit të rritjes gjatë korrikut. Në muajin e kaluar kanë hyrë në vend 1 milion e 955 mijë të huaj, rreth 7.1% më shumë se në korrik të vitit 2025. Kurse në raport me muajin qershor rritja thotë Ministria e Turizmit është me 608 mijë vizitorë më shumë ose rritje me 45.2%.

Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, ia atribuon këtë kthesë ekonomisë së eventeve, duke vlerësuar se festivalet dhe sidomos ai i Kanye West, dhe aktivitetet e tjera kanë qenë faktorët kryesorë që përmirësuan ecurinë e sezonit turistik.

Teksa publikon shifrat Gonxhja thotë se nëse qershori nuk do të kishte regjistruar ngadalësim, në korrik numri i vizitorëve të huaj do t’i kishte kaluar 2 milionë.

“Ndikimi i vijimit të protestave dhe i episodeve shumë të dëmshme të sulmeve ndaj bizneseve të industrisë shqiptare të mikpritjes, gjatë korrikut, janë arsye shqetësuese për sektorin turistik”, shkruan Gonxhja.

Pavarësisht ngadalësimit në qershor për shkak të protestave, panorama turistike e vendit mbetet pozitive. Gjatë periudhës janar-korrik 2026, Shqipëria priti pak më shumë se 7 milionë vizitorë të huaj, rreth 427 mijë më shumë se një vit më parë.