Një operacion i përbashkët mes autoriteteve franceze dhe belge ka çuar në arrestimin e 19 personave të dyshuar për përfshirje në një rrjet kriminal që merrej me vjedhjen dhe rishitjen e bizhuterive, diamanteve dhe metaleve të çmuara.

Sipas Eurojust, hetimi zgjati nëntë muaj dhe zbuloi një skemë të mirëorganizuar ku sendet e vjedhura në Francë transportoheshin rregullisht drejt Belgjikës për t'u shitur.

Gjatë hetimeve, autoritetet dokumentuan më shumë se 135 udhëtime të dyshuara mes Francës dhe Belgjikës nga shtatori 2025 deri në maj 2026. Bëhet fjalë për lëvizje të përsëritura të personave të përfshirë në rrjet, të cilët transportonin ar, bizhuteri, diamante dhe ora luksoze të vjedhura nga zona e Parisit drejt qytetit belg të Charleroi-t.

Sipas hetuesve, anëtarët e rrjetit kryenin mesatarisht më shumë se dy dërgesa në javë, duke përdorur automjete me hapësira të fshehta për të shmangur zbulimin e mallrave të vjedhura.

Më pas, sendet me vlerë dërgoheshin në Antwerp, qendra më e madhe e tregtisë së diamantëve në Belgjikë, ku dyshohet se shiteshin me ndihmën e personave dhe bizneseve të lidhura me skemën.

Aksioni i koordinuar u zhvillua më 27 dhe 28 maj në Belgjikë dhe Francë. Në Belgjikë u arrestuan 10 persona, ndërsa në Francë 9 të tjerë. Gjithashtu u kryen kontrolle në banesa private dhe ambiente biznesi.

Gjatë operacionit në Belgjikë u sekuestruan 6 kilogramë shufra ari, me vlerë të përllogaritur rreth 700 mijë euro, si dhe 65 mijë euro cash, dhjetëra ora luksoze, diamante dhe bizhuteri të ndryshme. Ndërsa në Francë u gjetën afro 10 mijë euro para cash, pajisje për përpunimin e bizhuterive dhe sende të tjera luksoze.

Autoritetet vijojnë të llogarisin vlerën totale të pasurisë së sekuestruar, ndërsa Eurojust e cilësoi operacionin si një tjetër shembull të suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.