1923/Sotir Gjika para zgjedhjeve
'Shqiptarë hapni sytë kur votoni!'

1923/Sotir Gjika para zgjedhjeve<br />'Shqiptarë hapni sytë kur votoni!'
Në vitin 1923, në mes të muajit maj, pothuajse si sot, Shqipëria ndodhej para zgjedhjeve të reja politike. Në gazetën “Shqipëtari i Amerikës”, një gazetë e përjavshme, që botohej në Korçë, me financimin e federatës “Vatra” në SHBA, publicisti Sotir Gjika, botonte një artikull kushtuar atmosferës parazgjedhore në Shqipëri, problematikave që lidheshin me proceset politike por më së shumti me mentalitetin dhe vetëdijen e shoqërisë shqiptare.

Anipse viti shënon 1923. Duket sikur është 1992, 1996, 1998, 2001, 2005… e me rradhë.

Nëse do të ndryshonim kohët madje të përfshinim aty edhe diktaturën si një periudhë fatkeqe, jo nën pushtim siç qe peiudha nën sundimin osman, por nën dhunë, terror e izolim… pra nëse do ti ndërronim kohët, fjalët e Sotir Gjikës shkruar 94 vjet më parë do të qëndronin kaq fort, ende sot.

Dhe ngjan si një rreth vicioz, nga ku shoqëria jonë nuk arrin të dalë edhe një shekull më vonë, duke u gënjyer e kënaqur me hapa të vegjël, ndonjëherë iluzivë.

Duke qenë në atmosferë zgjedhjesh, premtimesh e  shpesh fasadash të rrejshme, e sjellim këtë shkrim të Sotir Gjikës si një thirrje për reflektim e qartësi.

Shkrimi i tij i botuar në numrin e së shtunës me 12 maj 1923 në “Shqipëtari i Amerikës”, është marrë nga  vëllimi me artikuj e letërkëmbime “Detyra ime mbaron me jetën time”, botuar para pak kohësh nën kujdesin e nipit të tij Eugjen Merlika, nën siglën e botimeve “Omsca-1”.
Ad.Pe. 
 
PËRPARA ZGJEDHJEVE TË REJA POLITIKE 
Jemi afër zgjedhjeve të reja politike.
Populli shqiptar do të thirret të çfaqë lirisht, me anë të votës, vullnetin e tij. Të gjithë votonjësit lipset të venë e të hedhin shortën e tyre. E kanë për detyrë të shenjtë. Kush i largohet a i mungon kësaj detyre, s’meriton të jetë anëtar i një shteti të lirë.

Popujt me qeverim konstitucional ngadhënjimet e tyre politike, morale, ekonomike, i kanë bërë me anë të votës : do me thënë, duke dërguar në Parlamentin e Kombit njerëzit më të mirë. Parlamenti, si trup ligjbërës e si kontrollojës i Guvernës, është depozitar i të drejtave të popullit e përfaqësonjës i ligjëshëm i dëshirave dhe i interesave të tij. Shkurt, në Shtetet konstitucionale Parlamenti është gjithë puna. Prej natyrës së veprave të tij varet mbarësia a prapësia, lumtëria a fatkeqësia e vëndit.

Populli shqiptar, pra, le të mendohet mirë përpara se t’a hedhë, se për kë lipset t’a hedhë votën e tij. Si mësime të hidhura e fort elokuente ka përpara vuajtjet e patreguara të së shkuarës nënë mbretërimin turk, e cfilimet e pikëllimet e kohës së re të mbretërimit shqiptar. Po, edhe të mbretërimit shqiptar. Sepse kur pandehu që ëndërra e një Shqipërisë së lirë u vërtetua me t’ardhurit e Princ Ëied-it, i dërguar nga Fuqitë e Mëdha t’Europës të mbretëronte i lumtur në fron të Skënderbeut ; kur populli ynë besoi pra që ëndërra e bukur u vërtetua e se kështu kish të drejtë të presë ditë të bardha, u hap për të, me një ironi tragjike të Fatit që rrallë gjen shëmbëll në histori të popujve, një parentezë e re mynxyrash e mjerimesh.

Kjo parentezë edhe s’është mbyllur! Munt t’a mbyllë, pa renditje të frikshme e të rrezikshme, vota e popullit, në qoftë se populli do të ketë aqë mend e aqë guxim sa të dijë se ku e qysh t’a hedhë votën.

Kush e hapi parentezën e re mizore, e cila mbolli në mes tonë farën e vdekjes, të mërisë, të vëlla-vrasjes e të varfërisë? Mbi këtë pyetje guxoj, pikërisht, t’i tërheq vështrimin e t’i lutem popullit (që, si thashë, po pregatitet për të zgjedhur përfaqësojësit e rinj) të më vërë veshin e të më kuptojë.

E hapi ajo turmë njerëzish e cila j’a kish rjepur lëkurën gjer ditën që vëndi i ynë u shkëput nga Turqia. Gjer atë ditë j’a ripte n’ emër të Dovletit Osmanije e të patriotizmit othoman; tani j’a rrjep n’ emër të Shtetit të Shqipërisë e të patriotizmit shqiptar.

Macja, sidoqë t’a hedhësh, qëndron më këmbë! U bë, pra vetëm një ndryshim shenjash, një ndryshim emrash.

Po për nder të së vërtetës, lipset të shtojmë edhe një gjë tjetër: reformën e kokëve. Kapela me rrethe të prera zunë vëndin e tonuzeve, duke e çporrur qylafin e bukur, për dëm t’ industrisë kombëtare. Flakeni tej maskën hipokrite të “ndryshimit“ dhe do të shihni se ç’del në shesh: kuçedra me shtatë krye, me fytyrën e saj mostruoze, me barkun përjetë të zbrazët e me sytë e përgjakur!..
******
Në ç’hall u gjend Shqipëria të nesërmen e proklamimit t’ indepedencës? Gjallë si një vënd i harruar e i shkretë, i lënë në mëshirën e fatit, Shqipëria u gjend pa udhë, pa ura, pa shkolla kombëtare, pa industri, pa ekonomí, pa organizim social, pa gjyqe, pa drejtësi, pa kanune që regullojnë, mbrojnë dhe sigurojnë jetën e pronat e popullit. Krahu i njeriut i pashkuar më të kurrë. Tekat e natyrës gjenin shtegje të lira të çfryjnë. Fusha të mbytura nga vërshimet e lumenjve, ara të grryera nga rrëketë e shirave, këneta e moçale burime t’etheve malarike, ku bretkosat, të shkujdesura, kishin ngrehur mbretërimin e lumtërisë e vërrasja e tyre e trishtimtë dhe e amëshuar rritte monotoninë e rëndë të shkretëtirës tragjike;  pyjet të shkurtuara nga sëpata e pamëshirëshme e druvarit malok. Kanun i përgjithëshëm e absolut : vullneti i krerëve dhe i larove të tyre; i zhveshur barbarisht e me ashtu dua nga çdo e drejtë që të kish një vullnet, një qëllim, një ideal, një dëshirë, një fill, një të pastajme. Populli gjendej, nga disa pikëpamje si popujt e Gjermanisë pas paqes së Ëestfalisë.

Dora e mesme, e cila në shekullin e XVI kish mundur t’i vërë fre e kufi absolutizmit dhe të zotërojë mirë jetën kombëtare nga lufta e të tridhjetë vjetve, doli me eshtra të thyera. Feudalët j’a hodhën pra me vrap përsëri zgjedhën morale e materiale vëndit, u a shtrënguan rripat skllevërve të tyre, po jo pa e hedhur edhe Gjermaninë në një shtet të tatëpjetë kombëtare, politike, morale, kulturale, dhe ekonomike, nga e cila mezi e mori pakëzë veten vetëm në të katërtën e parë të shekullit të XIX, pasi pat shijuar mirë mirë edhe shkopin e rëndë të Napoleon Bonapartit.

Doni një sintezë më të gjallë të gjendjes së katundarit gjerman pas luftës së të tridhjetë vjetve që të bëni një përqasje?
Në ca vise të paka të Gjermanisë skllavëria pat’ arrirë gjer atje sa i zoti, bashkë me tokën shiste edhe bujkun. Katundari s’kish të drejtë të shpërngulet; ish i shtrënguar t’a bluajë miellin te mulliri i të Zot, t’a pjekë bukën te furra e të Zot, gjënë e gjallë t’a ruajë që t’a blinte i zoti kur e sa t’i mbante shpirti, të punonte shpesh angari nëpër fabrikat e të zot; martesa dhe të zgjedhurit e një profesioni vareshin, edhe ato, nga i zoti; i zoti e përzinte po e kur t’i tekej bujkun e mjerë, duke i rrëmbyer shtëpi, mashër, kasolle dhe gjën’ e gjallë.

Në ç’hall të zi gjendeshin, ndër ne, katundari, d. m. th. punëtori i lirë dhe bujku? I pari objekt i përjetëshëm i haraçit e i plaçkitjes; i dyti skllav i shtypur e i bindur i Pashës e i Beut. A është e nderuar gjendja e këtyre dy elementeve të gjalla të popullit t’onë nënë flamurin shqipëtar? Mjerisht, jo.
******
Përse Shqipëria deri ditën e fundit të jetës së saj nën Turqinë mbeti si një vënd i harruar e i shkretë :  shesh i violencës, i rrëmujës, i grabitjes, i vëlla-vrasjes, i absolutizmit? Përse s’i qeshi buza kurrë? Se ashtu deshën Turqit, kemi zakon të themi. Duke i a hedhur, pa fjalë, tërë fajin Stambollit. Po një përfillje më e thellë e pamjeve të vërteta e konkrete të punëve, pa-një-pa-dy na shtyn të ndërrojmë mëndje e kështu, të besojmë ngultas se, sostancialisht, gjykimi i pastajmë i Historisë Shqiptare doemos ka për të qënë i ndryshëm nga e thëna e cekët. Natyrisht Porta e Lartë ka, kundrejt vëndit t’onë, faj e përgjegjësi. Po gjer më një pikë, pra. Sepse, e zotëruar Shqipëria prej Turqve, po; po shqiptarët zotëronin në Turqi. Ata lidhnin e zgjidhnin në Perandorinë Otomane, të së cilës, madje, qenë një nga shtyllat më të forta në sheshin e krahut e të mëndjes. Po t’ ishin qarë, po t’i kishin treguar nevojat e vëndit të tyre, po të kishin ngulur këmbë, pa dyshim Guvernat e Sulltanëve do t’i kishin mbushur, në mos të gjitha, disa nga nevojat më të mëdha e më të prapanditura të Shqipërisë. Në vënd që, mjerisht, s’e vranë mëndjen kurrë, sepse krerët s’ishin patriotë. Ndofta edhe patën frikë t’i ndihnin popullit të përlindej moralisht e materialisht se mos zgjohej e u shpëtonte dikur nga zgjedha e u tregonte udhën e kufinë. Po, që s’qenë patriotë, e tregojnë punët, e pa lënë as më të vogëlin dyshim.

Çdo lëvizje Shqiptare kundër Turqisë shtypej me dorën ose me pishën e krerëve. Jeta jonë nën Turqinë është plot tradhëtira të tilla. Lëvizjen e Përlindjes Kombëtare, themelet e së cilës i shtiu një tokth idealistësh t’ armatosur me forcën e të drejtës së njerëzimit, me frymën e sakrificit e me besën e patundur te bukuria e triumfi i çështjes, krerët e ndoqën si gjarpërin dhe e luftuan sa mundën ; e luftuan, gjer në fund të fundit, në Shqipëri, më çdo çip të Turqisë dhe kudo gjetkë, e luftuan me tërë forcën e mërisë, të nakarit e të urrejtjes së tyre; s’lanë mjet pa përdorur që t’a çfarosnin nga rrënja e t’i jepnin viktimës së tyre edhe il colpo di grazia; e treguan pra me punë, thashë, se për ta Atdhe ishte vetëm Turqia. Devocioni i thellë i tyre për Fronin e Sulltanëve pati arrirë një shkallë morboziteti a lëngimi t’atillë sa i verboi edhe të shihnin se Turqisë po i shkurtoheshin ditët në Ballkan, e të kuptonin se vdekja e Turqisë n’ atë sinisi e vinte, përnjëherësh e pa derman, Shqipërinë përpara dilemës së tmerruar: të shpëtimit, ose të humbjes së përjetëshme.
******
U largova tepër nga tema e zgjedhjeve. Po m’u desh doemos të zgjatem pak që t’i kujtoj popullit se cilët kanë qënë dhe janë armiqt e tij për vdekje cilët i a kanë pirë gjakun, kush e shkretoi Atdheun t’onë të bukur e të dashur e ja uli nderin e famën në sy të botës së qytetëruar; se shumë nga këta armiq, kleçka e lodra të çdo armiku të racës s’onë, i vuri Nëna në krye të punëve t’ona dhe nënë maskën e patriotizmit, po lozin përsëri me fatin e Shqipërisë.

Populli i njeh, i di cilët janë, s’ka nevojë t’ja tregojë kush me gisht e me emër, u a piu lëngun mirë, përsërithi sidomos këto vjetët e fundit. Turma gëlltiti vetëm në mbretërimin e shkurtër të Princit Ëied 10 milion franga. Dhe vjedhjet, të fshehura nënë gjithfarsoj formash po vazhdojnë mbi kuris të popullit. T’ardhurat e Shtetit s’mjaftojnë as për të paguar rrogat e nëpunësve. Le t’i shkulë pra populli vetë, pa mëshirë, nga trupi i lodhur e i xhvatur i tij këto rriqra të helmosura.

Janë rriqra ngjitëse e thumpgjilpërë të cilat, po të mos i qërojë me kohë, do të shtohen e do t’ja thithin edhe atë çikë gjak që i ka mbetur. Populli ka përpara një rast të mirë që të shpëtojë prej armiqve e mjelësve të tij, rastin e zgjedhjeve : shpëton syresh duke dërguar në Parlament njerëzit në të cilët ka besim, e që punët e tyre i kanë treguar se janë miqt’ e vërtetë të popullit e patriotë të ndershëm. Këta njerëz le t’i kërkojë rreth vetes, le t’i kërrejë nga gjiri i tij. Në bëftë kështu, do të tregojë se është i gjallë e i shëndoshë, se e vështron dhe e pret të pastajmen me sy të patrëmbur, se e shkundi më në fund zgjedhën shekullore e se meriton të rrojë i lirë dhe zot më vete. Edhe një tjetër gjë themeltare popull’ i ynë duhet të ketë përpara syve: atje ku kanë arrirë punët e brëndëshme të Shqipërisë, vetëm nga një Parlament i mirë mund të pritet shpëtimi.
SOTIR  GJIKA
Gazeta “SHQIPËTARI I AMERIKËS”, KORÇË, E SHTUNË, 12 MAJ, 1923. 
 
Shënim: Gazeta “SHQIPËTARI I AMERIKËS filloi të botohej në Korçë, më 21 tetor 1922. Botues i gazetës ishte Loni Kristo, sekretar Loni Nini, administrator Hasan Bitincka.

hapni  syte kur votoni
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)