1982/ “Zhdukni emrin e fotot e
Mehmet Shehut nga çdo tekst"

1982/ “Zhdukni emrin e fotot e<br />Mehmet Shehut nga çdo tekst"
Një fushatë e gjerë ishte ndërmarrë në vitin 1982 për të zhdukur çdo gjurmë të emrit të Mehmet Shehut, çdo fotografi apo cilat i tij, kudo që mund të ndodhej në botime shkollore, historike, periodikë, muzeume, etj. Dokumenti që sjellim sot për lexuesit sjell një informacion rreth botimeve shkollore dhe mangësive që ishin vënë re në rrethin e njerëzve që nuk ishin treguar syçelur aq sa duhej.

Në fillim të muajit gusht, i ishte dhënë porosi  seksioneve të arsimit nw tw gjithw vendin, të bënin pastrimin e gjithë teksteve, duke grisur faqe të tekstit ose fshirë fjalët ku përmendej Mehmet Shehu.

Ishin  konstatuar 10 botime të viteve 1970-1981 që kishin fotografi e citate të Shehut. Më pas, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor ishin konstatuar edhe tre tekste të tjera me probleme që lidheshin me emrin e Mehmet Shehut. Por pas nisjes së sezonit shkollor, ishte konstatur se ishin edhe 18 tekste të tjera që kishin emrin, citate apo foto të Mehmet Shehut dhe këto libra “kishin rënë  në duart e nxënësve”. Pas kësaj ngjarje të patolerueshme për regjimin, në fund të vitit 1982 një valë shkarkimesh ishin njoftuar në rrethin e redaktorëve dhe drejtuesve të shtëpisë botuese të Librit Shkollor.

Dokumenti nënvizon se ky problem me emrin e Mehmet Shehut qëndronte edhe në disa tekste të universitetit.
Kjo fushatë në dukje absurde, zbulon shkallën e lartë të paranojës së regjimit dhe pushtetin që sigurohej përmes propagandës, duke i kushtuar kësaj të fundit vëmendjen maksimale.
 
 
Dokumenti i plotë
 
Shënim:

     Ministria e Arsimit dhe e Kulturës informon për disa masa që janë marrë ndaj redaktorëve dhe drejtuesve të Librit Shkollor.
     Shtëpia Botuese e Librit Shkollor kishte marrë porosi nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës që të kontrollonte të gjitha tekstet shkollore për të evidentuar nëse kishin materiale që lidheshin me armikun Mehmet Shehu.

     Nga ky kontroll doli se në 10 botime shkollore të viteve 1970-1981 kishte fotografi, citate etj., të Mehmet Shehut. Këto tekste ndodheshin në magazina dhe në libraritë e rretheve. Në datën 5 gusht 1982, Ministria e Arsimit u dha porosi seksioneve të arsimit që pastrimi i tyre të bëhet me grupe pune pranë degës së librit, duke grisur faqe të tekstit ose fshirë fjalët ku përmendej Mehmet Shehu.

     Para fillimit të mësimeve, u konstatuan edhe tre tekste të tjera me probleme që lidheshin me armikun M. Shehu. Në kontrollin e dytë u evidentuan edhe 18 tekste të botuara gjatë viteve 1970-1981, të cilat u ishin shpërndarë nxënësve pa u bërë korrigjimi. Për këtë, në datën 02.10.1982, Ministria porositi seksionet e arsimit që drejtoritë e shkollave t’i mblidhnin këto tekste nga nxënësit dhe t’u jepeshin atyre pasi të bëhej pastrimi i nevojshëm.

     Nga analiza që i është bërë këtij problemi del se përgjegjës kryesorë janë drejtuesit dhe redaktorët e Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. Në këtë institucion ka pasur thyerje disipline, thyerje të unitetit e shfaqje liberalizmi edhe më parë. Prandaj Ministria e Arsimit, më 24 shtator 1982, kishte vendosur largimin nga kjo detyrë të drejtorit, të zëvendësdrejtorit e të disa redaktorëve.
     Por, pasi doli problemi i teksteve, Komiteti i Partisë i Rajonit Nr. 2, më 01.10.1982, i ndëshkoi drejtorin e zëvendësin e tij, si dhe një redaktor, të cilët ishin komunistë, me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit. Gjithashtu, organit të nomenklaturës iu propozua për shkarkimin e tyre nga detyra. Mbështetur në këtë propozim, Ministria e Arsimit i thellon masat e marra, anulon vendimin e parë dhe prononcohet me vendimin e Komitetit të Partisë të Rajonit.

Nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor aktualisht janë vënë në projekt për t’u lëvizur 10 veta. Disa nga këta transferohen se janë të paaftë ose me qarkullim etj. Në këtë institucion ka dhe redaktorë të tjerë të paaftë, por ne mendojmë që largimi i tyre të bëhet gradualisht dhe jo me fushata. Në KQ të Partisë janë ankuar për masën e marrë ndaj tyre ish-drejtori M. Alimerko dhe redaktori V. B.

     Për problemet që kanë dalë në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, Ministria e Arsimit ka informuar dhe shokun Manush Myftiu, i cili është dakord me masat e marra.
     Citate nga armiku Mehmet Shehu kanë edhe disa tekste të shkollës së lartë. Ato qarkullojnë pa u bërë korrigjimi i duhur. Për këtë problem shkollat e larta veprojnë sipas porosisë që është dhënë në letrën e KQ të Partisë.
     Për të marrë masa në të ardhmen, ditët e fundit UT përfundoi evidentimin e atyre teksteve që kanë materiale nga armiku M. Shehu.





Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi