Dinamo vijon të përforcohet në merkato, duke prezantuar Lorran Quintanilha dhe Edmir Salin. Braziliani Lorran prej janarit të 2021 ishte pjesë e Bylisit, duke bërë mirë në Superligë dhe në Kategorinë e Parë. Forma e 27-vjeçarit është vënë re nga Dinamo, me Blutë që kanë përforcuar repartin e mesit të fushës për pjesëmarrjen në elitë. Pas rrëzimit të Bylisit në të Parën, Lorran vijon të jetë pjesë e Superligës, këtë herë duke ndërruar ngjyrat në fanellë.
"Lorran Quintanilha vishet Blu! Mesfushori brazilian e ka zhvilluar karrierën e tij në vendlindje ndërsa prej sezonit 2020/21 ishte pjesë e ekipit të Bylis. Klubi blu i uron suksese me eksperiencën e tij të re si pjesë e 18 herë kampionëve të vendit", njoftojnë Blutë.
Veç mesfushës, Dinamo ka prezantuar edhe portierin Edmir Sali që vjen nga Kastrioti. Vlonjati ishte i shumëkërkuar në merkato, teksa ka zgjedhur të vijojë karrierën te Dinamo.
"Edmir Sali është zyrtarisht dinamovit. Ditën e sotme në prani të presidentit Bardhi, portieri vlonjat firmosi kontratën e re që e bën pjesë të bluve të kryeqytetit në sezonin e ri. 25-vjeçari më herët ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe Laçit ndërsa në dy sezonet e fundit ka mbrojtur portën e Kastriotit", bën me dije Dinamo.