2 korriku i vitit 1990 ishte shenja e parë e një rebelimi masiv të shqiptarëve ndaj një regjimi që i kishte mbajtur të shtypur për më shumë se 4 dekada. Disa mijëra qytetarë vërshuan në selitë e përfaqësive diplomatike kryesore perëndimore duke kërkuar strehim. Në ambasadën italiane kishin hyrë 870 persona. 500 të tjerë në atë franceze, ndërsa vetëm ambasada gjermane do të strehojë 3200 të tjerë. Grupe të vogla iu drejtuan çdo selie tjetër diplomatike që nuk ishte e zënë.

Këtë 2 korrik, ambasada e Gjermanisë, ka zgjedhur ta kujtojë përmes një kolazhi videosh e fotosh të atyre ditëve të 36 viteve më parë. Janë pamje emocionuese të njerëzve që kërkonin shpresë dhe liri.

Familjet me fëmijë u strehuan në mjediset e brendshme, ndërsa të tjerët kaluan për më shumë se një javë, netët dhe ditët në oborrin e ambasadës, e cila ende sot ndodhet në të njëjtin vend.

Kushtet ishin të vështira. Furnizimi me bukë bëhej nga jashtë e njerëzit prisnin në radhë për ushqim. Uji shkonte me autobotë. Rrobat laheshin nëpër karroca. I nxehti i atyre ditëve ndihmonte së paku që të thaheshin shpejt.

Në një cep të kopshtit u krijua një tualet i përkohshëm. Mes njerëzve të shumtë do të shfaqeshin dhe sëmundjet e para, ndërsa një nga zyrat e ambasadës u përshtat si qendër mjekësore.

Edhe në ato ditë, sigurimi nuk hiqte dorë nga vrojtimi. Disa ditë më pas do t’u bëhej thirrje me altoparlantë të largoheshin me garancitë se nuk do t’u ndodhte asgjë. Një ftesë që u prit me fishkëllima e zemëratë.

Më në fund regjimi do të dorëzohej dhe do të lejonte largimin e tyre nga Shqipëria. Një operacion që zgjati disa ditë, nga 8 deri më 12 korrik. Pjesa më e madhe me traget, disa më avionë. Thuajse të gjithë zbarkuan në Brindisi, për t’u shpërndarë pastaj sipas shteteve, në ambasadat e së cilave, kishin kërkuar strehim.