DURRES- Pasi kishin marrë vesh se ish-bashkëpunëtori i tyre, i dyshuar për vjedhje, kishte hyrë në një banesë dhe kishte marrë 6 mijë euro, kanë vendosur që t’i kërkojnë 2 mijë euro. Por për Ilirjan Toshin, 22 vjeç dhe Flamur Popoçin, 29 vjeç, të dy banues në Rrashbull dhe të dënuar më parë për vjedhje, gjobëvënia ndaj të riut me iniciale F. R., nuk ka përfunduar mirë. Ata janë vënë në pranga nga policia, pasi 22-vjeçari me inicialet F. R., kishte bërë denoncim. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, Toshi dhe Popoçi janë vënë në pranga në flagrancë në momentin kur kanë shkuar për të marrë paratë, 2 mijë euroshin që i kishin vënë gjobë ish-shokut të tyre.

Arrestimi i Ilirjan Toshit dhe Flamur Popoçit është bërë nga efektivët e Sektorit për Krimet e Rënda në Policinë e Durrësit. Këta dy persona janë vënë në pranga në flagrancë.

Ata akuzohen se, nëpërmjet kanosjes i kërkonin shumën prej 2000 Euro një fqinji të tyre. Ky i fundit pasi kishte bërë denoncimin, kishte pranuar që të luante lojën e policisë.

Ai kishte marrë në telefon dy fqinjët e tij dhe u kishte thënë se, do të takoheshin në periferi të Rrashbullit dhe do t’u jepte lekët. E kështu, ditën e djeshme dy gjobëvënësit kanë shkuar në vendin e caktuar, por aty janë përballur me surprizë, prangat e policisë.

“Që nga data 18 gushte 2014 deri në 22 gusht 2014, kur u kapën në flagrancë, dy të arrestuarit kanë kanosur 22-vjeçarin me inicialet F.R., banues në Rrashbull, i dënuar një herë më parë për vjedhje, për t’i marrë shumën prej 2000 euro”, ka bërë të ditur dje Policia e Durrësit.

Shkrimi u publikua në "Shqiptarja.com" (Print) më 23.08.2014
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)