Një sulm me armë zjarri në një shkollë në juglindje të Turqisë në zonën e Kahramanmaraş, ka lënë të paktën 4 persona të vdekur dhe rreth 20 të plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 me orën lokale, kur një 14-vjeçar i armatosur hapi zjarr brenda ambienteve të shkollës së mesme “Ayser Çalik”.
Sipas mediave turke, autori ishte i armatosur me 5 armë të ndryshme dhe 7 krëhër me fishekë. Fillimisht ka qëlluar në ajër në oborrin e shkollës dhe më pas është futur në godinë, duke vijuar të qëllojë duke shënjestruar 2 klasa.
Mes viktimave janë 1 mësues dhe 3 nxënës. Sipas mediave, autori i mitur, babai i të cilit ishte ish-oficer policie, besohet të ketë vrarë veten.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e policisë dhe ambulancat
Kjo është një tjetër ngjarje e rëndë për Turqinë, pasi bëhet fjalë për sulmin e dytë me armë në një shkollë brenda vetëm dy ditësh. Një ditë më parë, në provincën Şanlıurfa, një ish-nxënës hapi zjarr në një lice, duke plagosur 16 persona, përpara se të vriste veten.
Komente






