Mori 600 mijë lekë të reja në këmbim të një vendimi gjyqësor, Gjykata e krimeve të rënda dënon me 2 vite burgim gjyqtarin e pezulluar nga detyra Ibrahim Hoxha. Për Hoxhën, prokuroria kërkoi tre vite burgim ndërsa në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai do të qëndrojë 24 muaj në qeli për të shlyer dënimin.

Po ashtu trupa gjykuese ka caktuar si masë ndaluese ndaj Hoxhës dhe pengimin për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Hoxha u përfshi në korrupsion së bashku me djalin e tij ndërsa prokuroria kërkoi dënim me burg vetëm për gjyqtarin e dhomës civile të Gjykatës së Tiranës.

Gjatë përgjimit telefonik, rezulton se i pandehuri Novruz Gajda kishte rënë dakort me të pandehurin Dritan Jazexhiu, që ti jepnin një përfitim të parregullt prej 600 mijë lekë (në përgjim citohet një gjashtëshe) gjyqtarit Hoxha,një ditë përpara shpalljes së vendimit më datë 2 maj 2016 dhe shumën tjetër prej 200 mijë lekë, (në përgjim citohet një dyshe),pas shpalljes së vendimit.

Gjatë bisedave të kryera,Novruz Gajda i tregon të pandehurit Altin Malaj detaje rreth përpjekjeve për korruptim të gjyqtarit Hoxha, me qëllim favorizimin e të pandehurit Dritan Jazenxhi, konretisht:

Biseda e përgjuar në datë 26 prill 2016,ku Novruz Gajda me numrin 069.....467 bisedon me të pandehurin Malaj, posedues i numrit 069... 014,rreth bisedave të bëra me të pandehurin Ibrahim Hoxha.

467: .... Tani kaq më tha ik andej muhabetin me atë më tha do vendim në dorë ai në datën 2 apo ta lë unë dhe shikojmë punët tona mos u merr me njerëz të tillë kupton... por është një çik anadollak ai se unë do vete ti them o miku ... burri huaj do të marrësh vendimin në dorë kaq dhe mirupafshim ç'ti bëj unë e po deshi, s'deshi...
Bisedë e datës 30 prill 2016 e përgjuar në numrin 467 ku Novruzi bisedon me të pandehurin Altin Malaj me numër telefoni 014, rreth bisedave të bëra me të pandehurin Dritan.

467: Mua po më thoshte kështu ai se mendon ti, nuk e di i thashë unë ca të ka thënë ai ca ka folur ti, kopil i madh, e di ca nderi i kishte bërë ai miku atij.

014: Ta tha shifrën ty ai?

467: Më tha këtë mua ai aty te gjashtë i ke në dorë tha ai dhe dy tha ai kur të hamë një drekë me Bimin tha ai.

Në datën 2 maj 2016, pasi i kanë dorëzuar djalit të gjyqtarit Hoxha shumën prej 600 mijë lekësh, të pandehurit Novruz Gajda dhe Dritan Jazexhiu i kanë konfirmuar të pandehurit Ibrahim Hoxha se kishin dorëzuar lekët tek i biri. Më konkretisht, Novruzi i ka dërguar një sms të pandehurit Hoxha, me përmbajtjen "ok me djalin", duke i lënë të kuptojë se kishte dorëzuar sasinë e lekëve. Gjatë bisedës së orës 20:26, të së njëjtës ditë, i pandehuri Novruz Gajda i thotë gjyqtarit: "a erdhi ai djali, ta pruri porosinë?" çka dëshmon se sasia e lekëve që iu sekuestruan djalit të gjyqtarit ishte e destinuar pikërisht për të pandehurin Ibrahim Hoxha.Gjatë komunikimeve të të pandehurve Novruz Gajda dhe Dritan Jazenxhiu, biseda të datës 2 maj 2016, ora 21:24, (pasi është shoqëruar Novruz Gajda), i pandehuri Gajda instrukton të pandehurin Jazenxhiu që të shkonte te Drejtoria e policisë dhe të deklaronte se i ka dhënë lekë borxh për makinë Novruzit, kurse i pandehuri Jazenxhiu i përgjigjet se mos i prishte punë.

Më konkretisht:
467: Po hajde mo burr k’tu te Drejtoria e policisë në kat të dytë, e burr në kat të tretë lart se më ndaluan këta të policisë kriminale, kam dhe burrin k’tu gjyqtarin, bashkë me djalin. Djali ka thënë ja mora një mikut tim, hajde me burr. Ja dhashë borxh thuaj e kam mikun tim thuaj për të blerë një makinë e kupton, i kam dhënë borxh thuaj miku që i dhe lekët për të blerë makinë mo burr, kupton.

290: E me,e mos dal unë mos i bëj keq prandaj po të them.

467:Ore shqiptar unë kam 22 vjet në policinë e shtetit sikur bën 100 burg, unë them kshu do i jap lek mikut se me do qejfi mua mik e kam vjedhur... hajde sqaro policinë kriminale e ik tutje andej do marr çik dhe zëvendësdrejtorin unë hajde….Disa minuta pas kësaj telefonate  i pandehuri Dritan Jazenxhiu i telefonon të pandehurit Altin Malaj, në orën 21:29, dhe nga kjo bisedë konfirmohet dhe njëherë se lekët e sekuestruara i përkasin të pandehurit Dritan Jazenxhiu.Gjithashtu i pandehuri Dritan hedh dyshimin se mos i pandehuri Novruz është spiun dhe e ka spiunuar ai në polici.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)