TIRANË- Nëna 25-vjeçare që humbi jetën në Berat në mënyrë tragjike sëbashku me të birin ka kryer manovër të gabuar gjatë drejtimin e mjetit. Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini ka shpjeguar në Report Tv se rruga ku ajo ka kryer parakalim ka qenë shumë e ngushtë. Ai thekson se në rate të tilla, nuk mund të kryesh parakalim pasi të çojnë në aksidente rrugore, njëjtë si në rastin e 25-vjeçares ku aksidenti ishte fatal.

Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Andi Kapxhiu, eksperti tha se drejtuesi i kamionit edhe mund ta kishte shmangur këtë tragjedi. Sipas tij në momentin që ai ka parë mjetin e 25-vjeçares në parakalim, mund të kishte ulur shpejtësinë dhe të devijonte djathtas.

“Pa patur hapësirën e nevojshme nuk mund të kryesh parakalim. Përballë ka pasur një kamion. Duhet ta kishte ndihmuar duke u spostuar sa më djathtas dhe të ulte shpejtësinë se ajo ka qenë në përfundim të parakalimit. Mendohet rreth 60-70 km/h por i përket grupit hetimor për këqyrjen e vendit të ngjarjes, tabelat. Jo se nuk lejohet, referuar sinjalistikës horizontale, lejohet por gjithmonë kur ka hapësirë”, tha ai.

I pyetur nëse barrierat mbrojtëse të urës duhet të ishin më të forta, Qibini shprehet se ajo është një rrugë urbane dytësore dhe në atë rast barrierat janë vënë në qëllim të këmbësorëve jo të makinave.

“S’kemi të bëjmë me rrugë urbane kryesore, që kanë trafik ndarëse, anësore barriera. Kemi të bëjmë me rrugë urbane dytësore. Kangjellat janë vënë për këmbësorët jo në shërbim të mjeteve. Janë për të disiplinuar mënyrën e ecjes së këmbësoreve”, vijoi ai.

25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj kishte vetëm 20 ditë që e kishte marrë patentën, teksa eksperti Qibini thotë se nuk i plotësonte kriteret për ta marrë. Ai iu bën thirrje autoriteteve që të mos japin patenta personave që nuk kanë aftësitë e duhura për të drejtuar makinë.

“Kur të kenë aftësitë e duhura profesionale, dallohet qartë që nuk i kishte aftësitë e duhura profesionale. Duhet përqendruar vëmendja që vështrimi i drejtuesi duhet të ishte përpara duke parë edhe automjetet e para, në rastin konkret ka ardhur kamioni”, theksoi Qibini.

25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj humbi jetën një ditë më parë me të birin, teksa po ktheheshin nga shkolla, por për fat të keq makina me të cilën po udhëtonin përfundoi në Lumin Osum. Report Tv siguroi videon e aksidentit, ku shihet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar i të resë, e cila në tentativë për t’iu shmangur një kamioni përfundoi në lumë.

Qytetarët bënë përpjekje për t’i nxjerrë nga makina, pasi kjo e fundit përfundoi në lumë, por pa rezultat, pasi fatkeqësisht nënë e bir u mbytën.

VIDEO nga momenti i perplasjes me kangjellat dhe dy viktimat