Kreu i Dhomës së Avokatisë tha në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, se 20% e të dënuarve në Shqipëri, janë dënuar pa prova nga gjykatat.

Duke ngritur shqetësimin për numrin e lartë të paraburgosurve, ai e shikon si pozitive nismën e Ministrisë së Drejtësisë për rishikimin e kodit të procedurës penale.

“Janë 20% e të dënuarve që janë pa prova. S’them që janë të pafajshëm, por duhet t’i provosh. Për këtë kemi kërkuar edhe ne që të dëgjohemi. Më vjen mirë që Ministria e Drejtësisë ka marrë një nismë për të bërë një sërë rregullimesh. Sepse reforma solli shumë probleme në zbatimin e saj në praktikë. Për kodin e procedurës penale. Ose për të ulur numrin e të paraburgosurve. E di ça ndodh në botë? Për të njëjtat vepra shqiptarët i dënojnë 4-5 vite. Kur i sjellin këtu ata që janë në procese të pambaruara, ose janë në zhvillim e sipër, sepse e dinë gjyqtarët e prokurorët që atje nuk i dënojnë dot. I sjellin këtu dhe i dënojnë me 10-15 vite. Kjo është e pafalshme. Delja e zezë u bë Shqipëria dhe e dinë ata se kush të dënon pa prova dhe i sjellin këtu. Drejtësia shqiptare ka humbur dinjitetin”, tha mes të tjerash Haxhia.

Haxhia, një këshillë e kishte edhe për përmirësimin e sistemit të Drejtësisë. Ai tha se duhet të shkrihet KLGJ dhe KLP dhe të rishikohet me themel shkolla e Magjistraturës.

Roli i Presidentit të Republikës sipas tij te Drejtësia është thuajse inekzistent, ndërkohë që tha se duhet të ishte më i madh. Haxhia kërkoi edhe krijimin e një byroje inspektimi, të ndarë sipas sektorëve të ndryshëm (në Drejtësi).

“Duhet parë edhe njëherë shkolla e magjistraturës me themel. Duhet të shkrihet edhe KLGJ, edhe KLP. Dhe të krijohet siç e ka Italia. Italia e ka kështu, Këshilli i Lartë i Magjistraturës dhe në krye është Presidenti i Republikës. Presidenti këtu është i pafuqishëm, është jashtë çdo funksioni. Si mund të jetë kryetar i Shtetit kur ai nuk komandon Drejtësinë? Ne kemi një kryeinspektor të lartë të drejtësisë. Edhe ai duhet reformuar. Të krijohet një byro inspektimi, e ndarë sipas sektorëve. Unë them që në krahasim me situatat e tjera, nuk ka presion të politikës ndaj drejtësisë. Presioni mund të jetë nën të, por jo në ekstrem. Vetë prokurori nuk ka një kontroll vertikal. Prokuroria e Përgjithshme duhet të kishte një task-forcë”, shtoi Maksim Haxhia.


Lajmi kryesor:

Rrëzimi në Komision i nismës për ndalimin e bojkotit kolektiv të avokatëve, Haxhia për Report Tv: Blushi sulmonte fenomenin, jo shkakun (Rregulloren e re të GJKKO)! Pretendimet e tij, të pabazuara