CNN ka bërë një analizë të protestave dhe trazirave në Ukrainë të përmbledhura në 20 pyetje. Për 3 muaj, qytetarët dhe opozita në Kiev kanë protestuar në sheshin ‘Pavarësia’ ku kanë kërkuar largimin e Presidentit Janukoviç dhe ndryshimin e Kushtetutës duke kërkuar të jenë më afër Bashkimit Evropian. Por, pse mijëra protestues kanë rrezikuar jetën e tyre në këmbim të ndyshimeve politike? Dhe pse qeveria i ka rezistuar thirrjeve dhe protestave të opozitës? Ja disa përgjigje!
 
1-Çfarë i shkaktoi trazirat?
Shkaku i protestave ishte një pakt tregtar me Bashkim Evropian. Një vit më parë, Presidenti Janukoviç insistoi për nënshkrimin e kësaj ‘marrëveshje historike’ politike dhe tregtare me BE-në. Por në 21 Nëntor, Janukoviç vendosi të pezullojë bisedimet me Bashkimin Evropian.

2-Çfarë përfshinte pakti tregtar?
Marrëveshja me BE-në do të krijonte lidhje të ngushta politike dhe do të mundësonte një rritje ekonomike. Ajo do të kishte hapur kufijtë për tregëtinë dhe do të ndikonte në modernizimin e vendit.

3-Pse nuk nënshkroi marrëveshjen Presidenti Janukoviç?
Rusia kërcënoi Ukrainën se do të vendoste sanksione tregtare për fqinjin e saj në rast se do të nënshkruante marrëveshjen me BE-në.

4-A ka patur arsye të tjera?
Po, ka patur dhe një arsye personale. Presidenti Janukoviç është përballur edhe me një kërkesë kyçe të BE-së, atë të lirimit nga burgu të ish-Kryeministres Julia Timoshenko. Para dy vitesh, Timoshenko u dënua me 7 vjet burg për shpërdorim detyre në lidhje me një kontratë të gazit rus.

5-Çfarë ndodhi më pas?
Shumë qytetar ukrainas ishin të zemëruar. Ata dolën në rrugë duke protestuar dhe duke kërkuar që Janukoviç të nënshkruajë marrëveshjen me BE-në.

6-Kush është kreu i opozitës ukrainase?
Nuk është një person i vetëm, por është një koalicion. Figura më e njohur është Vitali Klitschko. Ai është një ish-kampion boksi. Klitschko  drejton partinë e Aleancës Demokratike për Reformat.

7-Si reagoi Presidenti Janukoviç?
Janukoviç udhëtoi drejt Moskës, ku ai takoi Presidentin rus Vladimir Putin. Putin njoftoi se Rusia do të paguajë borxhin e Ukrainës prej 15 milionë dollarësh. Kur Presidenti Janukoviç vuri re se protestat nuk po merrnin fund, atëherë ai miratoi një ligj anti-protestë.

8-Çfarë parashikonte ligji anti-protestë?
Ligji ndalonte njerëzit të vishnin helmeta dhe maska nëpër mitingje, ndalonte ngritjen e tendave pa lejen paraprake të policisë. Ky ligj ngjalli shqetësime për arsyen se nuk do të lejohen protestat dhe njerëzve do tu mohohet e drejta e fjalës së lirë.

9-Por, u shfuqizua ligji?
Po, ligji u shfuqizua. Mes presionit intensiv të protestave, deputetët besnik të Presidentit Janukoviç e rrëzuan këtë ligj. Por, deri atëherë, protestat ishin masivizuar akoma më shumë dhe kërkonin diçka akoma më të madhe: Reformë kushtetuese.

10-Çfarë ndryshimi në Kushtetutë kërkojnë protestuesit?
Protestuesit kërkonin një ndryshim të përgjithshëm të pushtetit qeverisës. Ata mendojnë se Presidenti Janukoviç ka më shumë kompetenca se sa Parlamenti.

11-Çfarë bëri qeveria?
Në fund të Janarit, Presidenti i ofroi opozitës një paketë të re. Janukoviç i propozoi udhëheqësit të opozitës Tatsenyuk që të bëhej Kryeministër, kurse për Klitshckon ofroi postin e zv/Kryeministrit për çështjet humanitare. Por, opozita nuk i pranoi këto propozime të Presidentit Janukoviç.

12-Pse opozita nuk pranoi ofertën?
Paketa e ofruar nga Presidenti nuk ishte e mjaftueshme për opozitën. Ata thanë se Janukoviç kishte kontroll të plotë mbi qeverinë. Prandaj dhe protestuesit kërkonin largimin e Janukoviç. “Ne do të përfundojmë atë që nisëm”, kishte thënë udhëheqësi i protestës Yatsenyuk.

13-Gjatë fundjavës u duk se gjërat po qetësoheshin. Çfarë ndodhi?
Të dielën, protestuesit u larguan nga rrugët kryesore dhe liruan ndërtesat qeveritare në këmbim të lirimit të të arrestuarve. Kjo qetësi zgjati deri të martën.

14- Çfarë ndodhi të martën?
Opozita donte të bënte ndyshime në Parlament, të cilat konsistonin në kufizimin e pushtetit të Parlamentit dhe rishikimin e Kushtetutës. Por, Kryetari i Kuvendit nuk e lejoi këtë gjë. Pas kësaj, filluan përsëri protestat e përgjakshme.

15-Kush është fajtori për përleshjet?
Qeveria fajësoi protestuesit. Opozita nga ana e saj fajësoi qeverinë. Ajo ishte dita më e përgjakshme e protestave, ku vdiqën  28 personave.

16-Kishte më vonë një armëpushim mes qeverisë dhe opozitës?
Po, qeveria dhe opozita ranë dakort për një armëpushim të mërkurën. Por, zgjati shumë pak. Të enjten filluan përsëri protestat e dhunshme.

17-Çfarë i shkaktoi përsëri protestat?
Të enjten forcat e policisë qëlluan me armë zjarri ndaj protestuesve në sheshin ‘Pavarësia’në Kiev. Të paktën 20 persona vdiqën. Është e paqartë se kush ishte shkaku që policia qëlloi me armë. Por, qeveria tha se protestuesit thyen armëpushimin. Kurse, vetë protestuesit thanë se këtë gjë e bëri qeveria.

18-Por, çfarë ndodhi më pas?
Diplomatë të lartë ndërkombëtar po përpiqeshin për të gjetur një zgjidhje për krizën në Ukrainë. Ka patur bisedime edhe për sanksione ndaj Ukrainës.

19-Do të ndihmonin sanksionet?
Analistët thanë se pak presion nga jashtë mund të ishte i vlefshëm, veçanërisht nëse ushtria ukrainase do të kalonte në anën e qeverisë.

20- Çfarë luhet në Ukrainë?
Protestat që filluan në nëntor për një pakt tregtar u frynë së tepërmi. Opozita kërkonte që Presidenti të hiqte dorë nga kontrolli i tij dhe të ndryshohej Kushtetuta. Si rezultat, vendi i Evropës Lindore u përfshi nga një valë e madhe protestash anti-qeveritare, protesta që vendi nuk i kishte parë prej 10 vitesh. Ka edhe diçka tjetër: Ukrainë është kufiri që ndan Rusinë dhe Bashkimin Evropian. Është më shumë një “gur shahu” mes Rusisë dhe Perëndimit. SHBA-ja dhe BE-ja mendojnë se Rusia ka shumë ndikim mbi Ukrainën, por ajo e mohon. Por, ja çfarë mendon Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në SHBA. “Sipas mendimit tim, kjo do të vazhdojë të përshkallëzohet”, thotë Richard Haass.

Mesa duket, gjërat u qetësuan të shtunën e 22 shkurtit, ku Parlamenti votoi për shkarkimin e Presidentit Janukoviç si dhe i hapi rrugë hetimit ndaj tij për krime. Parlamenti vendosi datën 25 Maj për mbajtjen e zgjedhjeve Parlamentare. Vetëm pak pas vendimit të Parlamentit, Janukoviç tentoi të largohej drejt Rusisë me avion, por u ndalua. Gjithashtu, edhe ish-Kryeministrja Timoshenko u lirua nga burgu, ku më pas mbajti një fjalim në sheshin ‘Pavarësia’ në Kiev.


(v.gj/shqiptarja.com)